Dëshmitari Astrit Sherif përfaqësues i kompanisë së betonit “IMN”, ka deklaruar që mostrat që merren pas një kohe të caktuar mund të kenë ndryshim të trashësisë së asfaltit për arsye se në Kosovë asfalti shtrohet me gurë gëlqeror i cili gërryhet.
Ndërsa, eksperti i ndërtimtarisë Naim Hasani tha se gërryerja e rrugës, mund të ndodhë, mirëpo nuk mund të ndodhë në gjithë gjatësinë e rrugës.
Këto deklarime dëshmitari Sherifi dhe eksperti Hasani e bënë të enjten në Gjykatën Themelore në Gjilan.
Në këtë rast, ish-shefi i Prokurimit në Gjilan, Salih Kqiku, ish-drejtori i Urbanizmit Valon Shefiku, udhëheqësi i zyrës së Prokurimit Izet Kurteshi dhe ish-zyrtarja e shërbimeve publike Ganimete Kastrati, ngarkohen për “Keqpërdorim të detyrës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Fatlum Pireva, Suad Pireva, dhe Muhadin Zuka, ngarkohen me veprën penale “mashtrimi”, duke i shkaktuar komunës së Gjilanit dëm mbi 40 mijë euro.
Dëshmitari Astrit Sherif përfaqësues i kompanisë së betonit “IMM”, ka deklaruar që mbetet pranë deklaratave të dhëna në polici dhe në prokurori.
“Ne kemi qenë kontraktues në rastin konkret për vlerësimin e cilësisë së asfaltit në rrugën “Vali Ran”, ndërsa sa i përket rrugës “Zabeli i Sahit Agës” nuk më kujtohet, ndërsa, nuk ka qenë kompetencë e jona për vlerësimin e sasisë”, ka thënë dëshmitari Sherifi.
I njëjti e ka vazhduar deklaratën duke thënë se në vitin 2015 kanë bërë marrjen e mostrave për analiza, lidhur me cilësinë ka shtuar se kanë bërë vetëm raportin, ndërsa vlerësimin e cilësisë potencoi se e bënë organi mbikëqyrës i projektit.
“Ne nga organi mbikëqyrës nuk kemi marrë asnjë njoftim lidhur me vlerësimin e cilësisë, derisa ri-testim nuk është kërkuar nga ana e organit mbikëqyrës”, ka shtuar dëshmitari Sherifi.
I njëjti e ka vazhduar deklaratën duke thënë se sa i përket sasisë nuk kanë kompetencë, ndërsa sa i përket cilësisë së asfaltit lidhur me raportin mund të ushtrohet ndonjë kundërshtim në mënyrë që të merren mostra të tjera, e që ato merren me urdhër të mbikëqyrësit.
“Raportin ja kam dërguar kompanisë që e ka ekzekutuar punën në prezencë të mbikëqyrësit dhe ne si kompani e licencuar për vlerësimin e cilësisë raport kontaktues kemi me punë kryerësin”, ka thënë dëshmitari Sherifi.
Dëshmitari Sherifi tha se në rastin konkret jenë ftuar nga kompania në prezencë të mbikëqyrësit si dhe ekziston raporti se me urdhër të mbikëqyrësit janë marrë mostrat.
I njëjti ka shtuar se shpenzimet për vlerësimin e cilësisë së asfaltit i heq punë kryerësi ai që na ka ftuar”.
Dëshmitari tutje potencoi se në raport kanë konstatuar se janë marrë 7 mostra me diametër Pi 100 dhe në bazë të mostrave ku janë marrë trashësia mesatare e asfaltit kishte dal sipas projektit 10.98 centimetra.
“Mostrat që merren pas një kohe të caktuar mund të kenë ndryshim të trashësisë për arsye se në Kosovë asfalti shtrohet me gurë gëlqeror i cili gërryhet, e jo me gurë eroktiv i cili nuk gërryhet. Garancioni i një rruge të asfaltuar është 1 vjet mbas pranimit teknik”, ka thënë dëshmitari Sherifi.
I njëjti ka shtuar se sa përket mostrave të marra mbas 5 viteve nuk ka asnjë raport lidhur me to, dhe se caktimin e trashësisë pas 5 viteve ka konsideruar se duhet të i bëjnë analizë cilësinë e gërryerjes së gurit.
“Cilësia e asfaltit në bazë të raportit është brenda standardeve të lejuara. Dhe mbi bazën e këtij raporti cilësia e asfaltit ka qenë kusht për pranimin teknik”, ka shtuar në fund dëshmitari Sherifi.
Tutje seanca gjyqësore ka vazhduar me vazhdimin e deklaratës së Ekspertit të ndërtimtarisë Naim Hasani.
Hasani ka deklaruar që mbetet pranë raporteve të ekspertizave të dorëzuara prokurorit të çështjes.
I njëjti tha se si ekspert ka pasur për detyrë nga hetuesia për evidentimin ose krahasimin e projektit me punët e ekzekutuara, dhe në këtë projekt nuk ka mundur ta gjej askund urën e cila është ndërtuar, duke shtuar se ka ardhur në përfundim se kjo urë nuk është në projekt.
Tutje eksperti Hasani ka deklaruar se nuk është ofruar ndonjë aneks kontratë por që ka kontaktuar me projektantin dhe e kishte pyetur nëse ka diçka shtesë-aneks, i njëjti i kishte thënë se nuk ka ndonjë ndryshim shtesë në projekt.
Eksperti Hasani ka deklaruar se po ashtu ka kontaktuar komunën dhe punëkryerësin, dhe ka kërkuar të jenë prezent në rastin ku e bëjnë kontrollin e punimeve, dhe me atë rast është përpiluar procesverbal me personat prezent.
Eksperti tha se nuk ka pasur njohuri lidhur me aneks-kontratën.
Tutje eksperti ka shtuar se në momentin kur është bërë asfaltimi i rrugës nuk ka pasur qarje, mirëpo minimumi i trashësisë duhet të jete 11 cm, të paraparë në projekt, dhe mungesa e më shumë se 2 cm trashësi të asfaltit ka ndikuar drejtpërdrejt në qëndrueshmërinë e asfaltit, si faktor tjetër është mungesa e bankinave me gjerësi 1 metër ashtu siç është paraparë në projekt.
“Me rastin e ekspertizës e kam pasur vetëm projektin, jo edhe kontratën. Mund të ketë tolerancë deri në 3 % por çdo tolerancë që shtrohet më pak shtresë se që është e paraparë hiqet nga pagesa”, ka thënë eksperti Hasani.
Sipas tij, gërryerja e rrugës, mund të ndodhë kur kamionët të heqin borën, mirëpo nuk mund të ndodhë në gjithë gjatësinë e rrugës.
I njëjti tha se ekspertizën e ka bërë në bazë të përvojës dhe nuk ka përdorur ndonjë standard.
Eksperti po ashtu ka deklaruar se nuk iu beson matjeve që janë bërë me rastin e pranimit teknik nga laboratori kosovar ETL-Kosova, sepse ka pasur edhe raste tjera që matjet nuk kanë dalur siç kanë qenë realisht.
Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Agim Ademi ka njoftuar se për shkak të përfundimit të orarit të punës seanca gjyqësore do të vazhdoj me datën 17 mars.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, i pandehuri Salih Kqiku në cilësinë e personit zyrtar si Udhëheqës i Zyrës së Prokurimit Publik, pa i përmbushur detyrat e tij zyrtare, në bashkëkryerje me të pandehurin Valon Shefkiu, menaxher i projektit, kanë lidhur kontratë me operatorin ekonomik “Zuka Comerc” për asfaltimin e katër rrugëve të reja në projektin “Asfaltimi i rrugës në fshatin Përlepnicë” deri te kompleksi “Vali Ranch” me vlerë të kontratës prej 245 mijë e 825 euro e 89 centë.
Aktakuza thotë se në projekt ka qenë e paraparë që trashësia e asfaltit duhet të jetë 11.00 cm, ndërsa është implementuar 8.93 cm që do të thotë më pak se trashësia sipas projektit për 2.07cm.
Tutje, thuhet se të pandehurit nuk kanë përcjellë këtë ndryshim edhe pse në bazë të ligjit mbi prokurimit në bazë të detyrave dhe autorizimeve kanë qenë të obliguar për mbikëqyrjen dhe përcjelljen e kontratës me rastin e implementimit, ashtu që për veprimet e tyre i është shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në shumën prej 10 mijë e 702 euro e 23 centë.
Me këtë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Po ashtu, të njëjtit, sipas aktakuzës akuzohen se kanë lidhur aneks kontratë, me të cilën është kontraktuar për të dytën herë me operatorin ekonomik “Zuka Comerc” duke theksuar se aneks kontrata është mbështetur në përmasa dhe parallogari tjetër, nga e cila rezulton se ndërtimi i urës ka përfshirë punët e dheut në vlerë prej 7 mijë e 881 euro e 16 centë dhe objektin (urën) në vlerë prej 15 mijë e 239 euro e 39 centë, gjithsej në shumë prej 23 mijë e 120 euro e 55 centë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, për ndërtimin e kësaj ure ka munguar projekti i veçantë dhe se është zbatuar një projekt tjetër mbi bazën e të cilit është ndërtuar ura në Malësinë e Karadakut, përkatësisht ura në lagjen e Bilallëve, e cila është konsideruar nga të pandehurit se është ekuivalente me urën për të cilën mungon projekti, ashtu që diferenca e kontraktuar dhe e paguar më tepër është 14 mijë e 818 euro e 98 centë.
Me çka në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Tutje sipas aktakuzës, i pandehuri Salih Kqiku akuzohet se në bashkëkryerje edhe me të pandehurit Izet Kurteshi dhe Ganimete Kastrati menaxherë të projektit, në atë mënyrë që anëtarët e komisionit Valon Shefkiu, Arsim Ibrahimi e Bashkim Bunjaku, përkundër vërejtjeve të tyre që i kanë paraqitur për punët e filluara dhe të kryera, kanë kërkuar nga zyra e prokurimit udhëzime dhe përgjigje se si të veprohet më tutje, mirëpo të njëjtit kurrfarë përgjigje nuk ua kanë dhënë, ashtu që anëtarët e komisionit në vendim kanë sqaruar se nuk bartin përgjegjësi për punët e ekzekutuara dhe nuk mund të kryejnë punën e mbikëqyrjes profesionale.
Gjithnjë sipas aktakuzës, është bërë faturimi i punëve të kryera në shumë prej 231 mijë e 94 euro e 96 centë, ku është përfshirë edhe shuma e aneks kontratës 20 mijë e 99 euro e 36 centë, dhe nga kjo konsiderohet dëm i shkaktuar komunës së Gjilanit në vlerë prej 3 mijë e 496 euro e 33 centë.
Me këtë, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me burgim prej gjashtë muaj deri në pesë vjet.
Kompania private “Zuka Comerc” me seli në Gjilan, akuzohet se në cilësi të personit juridik ka kryer punët joprofesionale ndërtimore në kundërshtim me standardet e parapara profesionale, me ç’rast shuma e përgjithshme në përftimin material me qëllim përvetësimi për veten dhe në dëm të komunës është 25 mijë e 521 euro e 21 centë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
I pandehuri Muhadin Zuka, akuzohet se si person fizik përfaqësues i autorizuar i personit juridik “Zuka Comerce”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i ka paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, ngase nuk ka realizuar rrugën sipas kontratës, duke shkaktuar dëm material me qëllim përvetësimi për vete, në dëm të komunës së Gjilanit në shumë prej 25 mijë e 521 euro e 21 centë.
Me këtë, ka kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 355, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.
Tutje, kompania private ‘El-Bau” me seli në Gjilan, akuzohet se në cilësi të personit juridik ka vënë në lajthim komunën e Gjilanit, duke mos iu përmbajtur kontratës sipas tenderit, me ç’rast shuma e përgjithshme në përftimin material me qëllim përvetësimi për veten në dëm të komunës së Gjilanit është në shumë prej 2 mijë e 662 euro e 26 centë.
Me këtë, ka kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 355, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.
Ndërsa, të pandehurit Fatlum Pireva dhe Suad Pireva, akuzohen se si persona fizik dhe përfaqësues të autorizuar të personit juridik “El-Bau”, me qëllim përfitimi nga fondet publike i kanë paraqitur fakte të rreme komunës së Gjilanit, ashtu që të njëjtit nuk kanë realizuar rrugën sipas kontratës duke i shkaktuar dëm komunës së Gjilanit në vlerën prej 2 mijë e 662 euro e 26 centë.
Me çka, kanë kryer veprën penale “Mashtrim” nga neni 355, paragrafi 2, lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal, vepër kjo e dënueshme me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në tre vjet.