Ish kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka paralajmëruar se do të padisë Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken, pas vendimit për ta shpallur “non grata” nga SHBA.
Ish lideri i Partisë Demokratike, deputeti Sali Berisha një një konferencë për media ka thënë se nuk është i përfshirë në asnjë aferë korruptive.
Ai ka thënë se ka autorizuar avokatin e tij në një vend neutral siç është Franca për të ngritur padi ndaj Sekretarit të Shtetit, Antony Blinken.
“Jam këtu për t’ju informuar për një vendim të pazakontë por të rëndësishëm timin. Për arsye tërësisht të panjohura për mua sekretari i Departamentit të Shtetit Blinken ka publikuar pa paralajmërim dhe në mënyrë shpifëse vlerësime të gënjeshtra për personalitetin tim. Dua të theksoj se që kur kam filluar jetën time politike ju garantoj se që kur kam prekur rrogën e parë në borderonë e shtetit dhe deri ditën e djeshme nuk ka njeri në Shqipëri e botë që të thotë se unë kam qenë i implikuar në aferë të çfarëdoshme korruptive. Kam udhëzuar avokatin tim në një vend neutral në Francë që të ngrejë ndaj zoti Blinken padi për shpifje publike”, tha ish-kryeministri.
Ai tha se akuzat e ngritura në adresë të tij nga sekretari i DASH janë shpifje publike dhe për këtë tha se avokati i tij po përgatit padi.
“Blinken mund të pretendojë ndoshta se sipas rregullave si Sekretar Shteti, ai ka imunitet. Kjo është gënjeshtër. Imuniteti fitohet nga gjykatat, në mënyrë relative, që do të thotë se Blinken ka imunitet kur kryen akte normale si përfaqësues i qeverisë së vendit të tij. Asnjë qeveri, cilado qoftë ajo, nuk mund të ketë funksion shpifjen dhe përbaltjen. Pra, sipas avokatit tim, zoti Blinken nuk është i mbrojtur nga asnjë imunitet. Ndaj, do të paditet dhe dënohet nga Gjykata e Parisit, në të cilën është ngritur padia nga avokati im”, tha Berisha.
“Çështja e dinjitetit është çështja më thelbësore e njeriut. Nëse i prek dinjitetin njeriut, e zhvlerëson atë para familjes, miqve dhe komunitetit ku jeton. Unë kam qenë President dhe kryeministër. Pra, kam qenë përgjegjës për dinjitetin e këtij populli”, shtoi ish-kryeministri.
Ish-kryeministri Sali Berisha, në një konferencë për shtyp një ditë pasi u shpall “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, u pyet nëse është i gatshëm që të lërë mandatin e deputetit në Kuvendin e Shqipërisë.
“Nëse sekretari i Shtetit do të paraqiste prova, do të konsideroja çdo gjë. Por, jo prova të montuara në Tiranë, në zyrat e Edi Ramës. Le të nxjerrin provat nëse kanë. Unë kam hapur gjyq dhe le t’i paraqesin provat para gjykatësit”, deklaroi Berisha.
Sipas tij, “për shkak të kundërshtimit që i bëra projektit të ndarjes së Kosovës apo ndryshimit të kufijve, ka pasur përpjekje që qëndrimi im të kualifikohej si konspiracion ndaj politikës së jashtme të SHBA-së”.