Real Madridi i ka çuar një paralajmërim të ashpër adoleshentit Arda Guler, duke i kërkuar atij që të jetë më i durueshëm dhe të pres që të vijë mundësia e tij, ka raportuar Marca.
Guler po kërkon që të luaj më shumë dhe së fundmi ishtë parë tejet i nervozuar pasi nuk mori minuta në ndeshjen ku Real Madridi fitoi me rezultat 3-2 ndaj Almerias në Bernabeu.
Carlo Ancelotti e sheh Guler si një lojtar i cili momentalisht nuk është fizikisht në gjendje që të luaj rregullisht për një klub të madh si Real Madridi, këtë mendim e kanë edhe pjesa tjetër e stafit, por sidoqoftë të gjithë janë të pajtimit se ai ka një të ardhme të ndritur para vetes.
Guler ka fituar zemrat e bashkëlojtarëve të tij gjatë seancave stërvitore, aty ku ka shfaqur se çfarë talenti posedon në këmbët e tij.
Sidoqoftë, ai këtë nuk po mund t’ua shfaqë edhe tifozëve të klubit, kjo edhe për shkak se lëndimi që pësoi me të mbërritur në Spanjë ia pamundësoi që të jetë në të njëjtin ritëm me pjesën tjetër të ekipit.
Sensacioni turk mori disa minuta në ndeshje e fundit të Real Madridit në udhëtim ndaj Las Palmas, madje pati një mundësi të madhe për të gjetur golin e parë me madrilenët, sidoqoftë ai nuk ia doli të pranojë mirë një top që e mori nga Joselu.
Duke marrë parasysh kalendarin e ngarkuar të ndeshjeve, duket se së shpejti do të vijë edhe koha kur Guler do ta shijojë ndjenjën e të qenurit pjesë e formacionit startues./Telegrafi/