Telegrafi

U rrëzua dhe u ngrit sërish! Whyte triumfoi ndaj Rivas dhe tash është sfidues i detyrueshëm i Wilder

(Foto: Dan Istitene/Getty Images/Guliver)

Dillian Whyte ka dalë triumfues përballë Oscar Rivas në duelin e fundit eliminator për të sfiduar për titullin WBC dhe tash është sfidues i detyrueshëm për rripin e kategorisë së peshave të rënda që mbahet nga Deontay Wilder.

Boksieri londinez ia doli të rikthehej edhe pasi u rrëzua në raundin e nëntë për të fituar në fund me pikë dhe tash pas 600 ditësh në pozitën e sfiduesit, me plot meritë duhet t’i jepet shansi për të dueluar ndaj boksierit amerikan.

Më poshtë jua sjellim rrjedhën e meçit raund pas raundi:

(Foto: Dan Istitene/Getty Images/Guliver)

Raundi 1

Rivas tentoi të marrë qendrën e ringut dhe rrezikonte me të majtën, ndërkohë që Whyte dukej më i qetë.

Raundi 2

Britaniku e godiste në trup, ndërkohë që kolumbiani në një moment dukej i lënduar, por ia doli të mbahej.

(Foto: Dan Istitene/Getty Images/Guliver)

Raundi 3

Whyte vazhdoi të merrte pikë dhe vazhdimisht e godiste kundërhstarin në trup.

Raundi 4

Dillian i kishte gjërat nën kontroll, derisa Rivas përpiqet të dilte nga kjo situatë.

Raundi 5

Whyte u pozicionua në qendër të ring dhe dhuroi disa goditje të forta. Edhe ky raund ishte i tij.

Raundi 6

Një goditje e fortë me të djathtën nga Rivas, ndaj të cilës u përmbajt britaniku. Ky raund ishte i kolumbianit.

(Foto: Dan Istitene/Getty Images/Guliver)

Raundi 7

Rivas tentoi të ishte i rrezikshëm, por dukej sikur lodhej shpejt, ashtu që Whyte e merrte sërish kontrollin.

Raundi 8

Dillian vazhdonte me goditjet në trup duke i shkaktuar probleme rivalit të tij, i cili e kërkonte momentin për ta goditur.

Raundi 9

Dhe Rivas ia doli! Kolumbiani e rrëzoi britanikun. Mirëpo, ai arriti disi të ngritej në këmbë dhe ta vazhdonte duelin.

(Foto: Dan Istitene/Getty Images/Guliver)

Raundi 10

Atmosfera në O2 Arena ishte ngritur në maksimum, duke qenë se në ring po zhvillohej një përballje e madhe. Whyte arriti që të rikthehej pas rrëzimit dhe të tregohej i rrezikshëm për Rivas.

Raundi 11

Whyte e goditi disa herë kundërshtarin e tij, i cili lëvizte nëpër ring dhe ia ktheu edhe ai me goditjet e tij.

Raundi 12

Një duel klasik që shkoi deri në fund. Dillian ishte i lënduar në minutat e fundit, ashtu që ky raund shkoi në favor të Oscar.

Dhe me vendim të gjyqtarëve (115-112, 115-112 dhe 116-111) Dillian Whyte u shpall fitues i këtij dueli. /Telegrafi/