Të dhëna të ndryshme personale, duke filluar nga emrat, mbiemrat, shkollimi, vendi ku jetojnë e deri te masat ndëshkuese me të cilat mund të ishin përballur dy të miturit që dyshohen se janë të përfshirë në rrahjen brutale e cila pati pasojë vdekjen e të riut Lulzim Fejzullahu në Podujevë u publikuan nga media të ndryshme online gjatë gjithë javës.
Këto të dhëna në bazë të Kodit të drejtësisë për të mitur janë konfidenciale për shkak se të dyshuarit janë nën moshën madhore dhe të njëjtat duhet të publikohen vetëm në rastet kur autorizon gjykata.
Në emisionin “Kallxo Përnime” u diskutua për rrezikun nga publikumi i këtyre informacioneve dhe dëmeve që mund të shkaktojnë ato në rehabilitim dhe risocializim të të miturve pasi të kryejnë masat ndëshkuese.
Drejtori i Këshillit të Mediave të Shkruara të Kosovës, Imer Mushkolaj, kritikoi fillimisht qasjen që ka pasur kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi kur doli dhe dha informacione që zbulojnë rrethana të ndryshme për një të mitur që dyshohet se është i përfshirë në rast.
Kryetari Bulliqi në mbledhjen që u mbajt në fillim të javës në Komunën e Podujevës me këshillin për siguri në bashkësi mori informacione nga organet e rendit për rastin tragjik në këtë komunë e më pas nuk e pati problem që të njëjtat ndonëse jo në formë të detajuar, t’i paraqes në një konferencë para gazetarëve.
Mushkolaj tha se ky veprim është jo profesional.
“Kryetari më shumë tingëlloj më shumë si një prokuror se sa një kryetar, ai nuk ka pasur nevojë me dalë në këtë konferencë është totalisht e panevojshme, normalisht ai mundet me i mbledhë zyrtarët komunalë drejtorët me diskutu, por jo me thirr konferencë për shtyp e me tregu të dhëna edhe personale apo duke zbulu rrethana të tjera të cilat e identifikojnë personat e mitur dhe në anën tjetër duke tregu historinë e njërit apo dy të miturve që janë përfshi në vepër penale”, tha Mushkolaj në debat.
Tutje ai shtoi se raportimi etik nga ana e gazetarëve është e rregulluar me udhëzime e kode të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Këshillit për Mediat e Shkruara.
“Mediat asnjëherë nuk duhet të publikojnë emrin, atësinë apo amësinë, mbiemrin, fotografinë, video apo imazhe të tjera të fëmijëve nën moshën 18 vjeçare të cilat janë të përfshira apo ndërlidhur me, aksidente, incidente, dhunë, vepra penale, fatkeqësi natyrore apo veprime të tjera dhe po ashtu moszbulimin e rrethanave të tjera që mujn të identifikon fëmijën, vendi ku banon, shkolla që vijon, lagja ku banon. Pra është e përcaktuar saktë se si duhet me raportu media”, citon Mushkolaj një nga pikat e Komisionit për Mediat e Shkruara.
Ai thotë se raportimi jo profesional nga ana e gazetarëve nuk është parë vetëm në ngjarjen e fundit të regjistruar në Podujevë.
“Nuk është hera e parë që në raste të ngjashme mediat shkojnë përtej respektimit të kodit ose edhe gjejnë arsye që me e publiku edhe pamje të cilat nuk përkojnë me kodin. Nuk është çështjeje financiare kjo besoj që më shumë është kjo te logjika e publikimit të diçkaje përpara dikujt si një ekskluzive po flas në logjikën e mediave, por në anën tjetër prapë është e rëndësishme debati që përtej publikimit të videove dhe pamjeve të tilla në raport me kodin se si duhet të raportohet debati i interesit publik”, shton ai.
Ish- anëtarja e Komisionit të Pavarur të Mediave e cila për një kohë të gjatë kishte punuar edhe si gazetare e medias ndërkombëtare BBC,Violetë Hysenaj thotë se gazetarët thyen të gjitha parimet e kodit etik për raportimin mbi ngjarjen në Podujevë.
“Nuk ka diskutim që kemi të bëjmë me shkelje të kodit të etikës, në gazetari. Edhe si ish- anëtare e KPM por edhe ish gazetare mund të them me përgjegjësi të plotë që mediat e kanë shkelur kodin e etikës, por edhe me publikimin e deklaratave që janë bërë edhe nga autoritetet duke shpalosur të dhëna të cilat kanë qenë krejtësisht të panevojshme”, thotë Hysenaj.
Ajo shtoi se rregullat përcatojnë qartë se kur kemi të bëjmë me fmijë apo të mitur mediat duhet të jenë të kudjeshëm se çka duhet me raportu.
“Ky ka qenë një rast i rëndë dhe duhet marrë parasysh edhe pesha e cdo deklarate publike, duke raportuar nganjëherë ndoshta edhe agzetarët harrojnë që ata njerëz kanë edhe familje dhe si e përjetojnë edhe familjarët dhe rrethi i tyre”- shton ajo.
Hysenaj përmendi edhe faktin se të miturit pasi të kryejnë dënimet apo masat sërish do të kthehen në shoqëri dhe mund të ekzistoj rreziku që të njëjtit të përballen me gjykime. /Kallxo,com/