Telegrafi

U raportua se do të largohet, Real Madridi i cakton përfundimisht çmimin Luninit

Gjatë ditëve të fundit u raportua se portieri ukrainas, Andriy Lunin, me shumë mundësi do të largohet nga Real Madridi.

Kjo për shkak se në krahasim me sezonin që lamë pas, fanella e titullarit më nuk do t’i garantohet pasi tashmë Thibaut Courtois është rikuperuar plotësisht nga lëndimi dhe padyshim do të jetë zgjedhja e parë e portës.

Siç raporton Marca, drejtuesit e klubit madrilen i kanë bërë me dije agjentit të lojtarit se të gjitha klubet e interesuara për të nënshkruar me të duhet të paguajnë 30 milionë euro.

Më herët ishte raportuar që interesim për shërbimet e ukrainasit ka shprehur Chelsea, të cilët po kërkojnë një portier për ta rivalizuar Robert Sanchezin për pozitën e titullarit.

Lexo po ashtu Agjenti i yllit të Real Madridit po mundohet ta bind atë të largohet nga ekipi

Situata që është krijuar tashmë me Lunin i cili ka gjasa të mëdha të largohet këtë verë, ka ndryshuar plotësisht edhe planet e Kepa Arrizabalagas.

Largimi i portierit spanjoll më herët dukej i pashmangshëm, por tani ai ka vendosur që të presë Real Madridin dhe të shohë se çfarë do të ndodhë me Lunin.

Pak kohë më parë The Athletic kishte raportuar se klubi i tij Chelsea ka refuzuar një ofertë të madhe nga Al Ittihadi.

Real Madridi me gjasë do ta blejë kartonin e Arrizabalagas në rast largimi të Lunin, pasi spanjolli nuk e ka problem të mbetet edhe zgjedhja e dytë e portës./Telegrafi/