Telegrafi

U raportua se mësimdhënësja me shami u përjashtua nga shkolla, reagon Muharremaj: Bordi i prindërve nuk punëson apo largon një mësimdhënës nga puna

Kryetari i Suharekës thotë se mësimdhënësja vazhdon detyrat derisa ndaj saj nuk ka ndonjë procedurë disiplinore. Ai thotë se bordi i prindërve nuk mund të përjashtojë apo punësojë mësimdhënës.

Arsimtarja e matematikës, Remzie Lezi, thuhet se është përjashtuar nga një shkollë në Komunën e Suharekës për shkak se mbante shami.

Sipas një dokumenti të publikuar në rrjete sociale, Këshilli Drejtues i Shkollës ka vendosur në mënyrë unanime, që Lezi të përjashtohet nga shkolla.

“Duke u mbështetur në UA NR 03/2016, neni 3 pika 7, që ndalon bartjen e uniformës fetare, i gjithë Këshilli unanimisht vendosi, që nuk i lejohet arsimtares së matematikës, z. Remzie Lezi të ushtrojë profesionin e mësuesisë në shkollën tonë me uniformë fetare”, thuhet në dokument.

Por ndaj këtij zhvillimi ka reaguar kryetari i Suharekës i cili ndodhet jashtë vendit.

Lexo po ashtu Në Suharekë, përjashtohet arsimtarja nga shkolla për shkak të shamisë

“Bordi i prindërve nuk është institucion, i cili punëson apo largon një mësimdhënës nga puna. Kjo ndodh në organet komunale më një procedurë tash të rregulluar mire”.

“Në qoftë se ndonjë mësimdhënës ka rast disiplinor, atëherë është Komisioni Disiplinor që e trajton rastin dhe i sugjeron drejtorit, respektivisht mua si kryetar për veprimet institucionale.

Deri në një rast të tillë, të gjithë mësimdhënësit ushtrojnë detyrat e veta konform procedurës së lartpërmendur”.

“Për momentin jam në udhëtim jashtë vendit, por që nga dita e hënë do ta trajtoj me prioritet këtë rast, kjo në përputhje me ligjin, me urdhrin administrativ të Ministrisë së arsimit dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese, dhe kështu do t’i japim fund edhe debatit krejt të panevojshëm për këtë temë.

Përndryshe, gjuha linçuese, ofenduese ka vetëm një synim: përçarjen në mes nesh dhe dëmtimin politik të Komunës dhe sukseseve të arritura deri më tani”, ka shkruar Muharremaj./Telegrafi/