Pas raportimit të një mediumi se janë gjendur eshtrat e veprimtarit Ukshin Hoti, ka reaguar djali i tij Andini.
Në llogarinë e tij në Facebook, ai ka shkruar shkurt “Lajm i rrejshëm”.
Sipas mediumit “Albanian Post”, tashmë është arritur akordim që eshtrat e intelektualit dhe ish-profesorit të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe filozofisë në Universitetin e Prishtinës, të kthehen në Kosovë.
“Emrat e personave, mbetjet e të cilëve kthehen bashkë me ato të Hotit, do të bëhen të ditur shpejt nga Kryqi i Kuq Ndërkombëtar, organizata e cila është marrë me organizimin e kthimit”, thotë mediumi në fjalë.
Ndërkaq, më 16 maj të vitit 1999 në rrethana ende të pa ndriçuara është zhdukur Ukshin Hoti.
Veprimtari i mirënjohur i Lëvizjes Kombëtare, profesori Ukshin Hoti u lind më 17 qershor të vitit 1943 në fshatin Krushë të Madhe të Rahovecit.
Ishte profesor, shkrimtar, filozof, intelektual, atdhetar dhe veprimtar i shquar i çështjes kombëtare gjatë viteve 1981-1999.
Ukshin Hoti, ka qenë edhe ligjërues ne disa universitete të Amerikës ku dhe kishte studiuar dhe diplomuar.
Për aktivitetin e tij atdhetar ishte arrestuar disa herë nga regjimi serb i Titos dhe i Millosheviqit.
Për herë të fundit ishte arrestuar në vitin 1994 nga policia serbe me akuzën e ushtrimit të veprimtarisë armiqësore kundra Jugosllavisë dhe për pjesëmarrjen e tij në lëvizjen për Republikën e Kosovës, me ç’ rast ishte dënuar 5 vjet burg.
Më 16 Maj të vitit 1999 pas lirimit dhe pas daljes nga qelia e burgut të Dubravës, zhduket nga polica serbe pa lënë gjurmë.
Shokët e burgut, ata që kanë shpëtuar nga masakra e Dubravës, disa ditë më vonë, kanë treguar se Ukshini ishte liruar nga burgu më 16 maj, ditën e diel, ditë që nuk praktikohej lirimi i të burgosurve.
Prej asaj kohe e deri tani, veprimtari i madh i çështjes kombëtare shqiptare, magjistri, filozofi, shkrimtari, publicisti, atdhetari i përkushtuar, Ukshin Hoti edhe sot e kësaj dite konsiderohet ende i zhdukur/Telegrafi.
ë