Pas raportimeve se e kanë larguar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), ka reaguar kryeshefi i Termokosit, Fisnik Osmani.
Osmani përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka shkruar se nuk ka asnjë njoftim në lidhje me këto raportime.
Ai tha se në bashkëpunim të ngushtë me kryetarin e komunës, Përparim Rama dhe me aksionarët e ndërmarrjes janë duke punuar që Termokos të jetë afër qytetarëve për çdo nevojë dhe shërbim.
“Nuk kam asnjë njoftim lidhur me disa lajme që po qarkullojnë nëpër portale.
Unë jam Kryeshef Ekzekutiv i NP Termokos dhe në bashkëpunim të ngushtë me Kryetarin e komunës Përparim Rama dhe me aksionarët e ndërmarrjes po punojmë që Termokos të jetë afër qytetarëve për çdo nevojë dhe shërbim”, ka thënë Osmani.
Ai po ashtu tha se: “Partia, është organ ku aktivistët shërbejnë në baza vullnetare dhe natyrisht askush nuk mund ta përjashtoj askënd. Prandaj, këto lajme përveç që janë të pasakta janë edhe të pavërteta!
Ndryshe, sot gjatë ditës në media u raportua se kryeshefin e Termokosit e kanë larguar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK). /Telegrafi/