Qytetarët e Komunës së Obiliqit kanë raportuar disa herë në ndreqe.com për një rrugë e cila aktualisht është e dëmtuar në fshatin Siboc të kësaj komune.
Telegrafi ka kontaktuar me drejtorin e Shërbimeve Publike të Komunës së Obiliqit, Avdyrrahman Krasniqi, i cili tha se në këtë rrugë vetëm këtë vit është intervenuar dy herë.
Mirëpo, siç tha ai për shkak se në këtë rrugë rrëshqet vazhdimisht dheu, kjo rrugë është duke u dëmtuar sërish.
Krasniqi tha se këtë problem do ta zgjidhin, por pasi të ndalojnë reshjet e shiut.
“Është intervenuar dy herë në muajin janar dhe mars, brenda këtij viti. Dheu po rrëshqet vazhdimisht…në të ardhmen do e shohim se si do e rregullojmë këtë çështje në momentin që të ndalojnë reshjet”, ka thënë Krasniqi.
Telegrafi po ashtu ka siguruar fotografi të rregullimit të kësaj rruge, e cila po prishet sërish.
Me qëllim të përmirësimit të cilësisë së shërbimeve komunale, vazhdoni të raportoni për zgjidhje më të shpejt të problemeve në komunën tuaj, në ndreqe.com. /Telegrafi/