Qeveria shqiptare mohon që dokumenti me të dhënat e pagave për 637 mijë pagamarrës në sektorin publik dhe privat të ketë dalë nga database zyrtar i AKSHI-t.
Sipas zëdhënësit të qeverisë Endri Fuga kjo faktohet me shifrën e ndryshme të personave të deklaruar si të punësuar.
“Analizat paraprake tregojnë qartësisht se nuk ka ndodhur asnjë eksport dixhital i databazës së pagave për periudhën janar-prill 2021 në fushat e dokumentit të hedhur në qarkullim. Dokumenti ka një numër të ndryshëm nga personat e deklaruar dhe është bashkim i disa copave të ndryshme. Po ashtu databaza digjitale zyrtare e të dhënave të disponueshme nuk e përmban fushën “Emri i Plotë” siç lexohet në këtë dokument ilegal”.
Fuga sqaron se AKSHI është në proces të mbylljes së procedurës ndërkombëtare për një auditim të sistemit informatik të tatimeve për certifikimin me standardin Iso, duke nënkuptuar se siguria e të dhënave personale të të gjithë shtetaseve shqiptare në e-Albania do të jetë edhe më e sigurtë. Ministria e Financave sipas tij do të bëjë një kallëzim në prokurori për zbardhjen e këtij skandali.