Telegrafi

U prezantua në janar, por transferimi i Leart Paqaradës te Kolni mund të dështojë shkaku i një sanksioni nga FIFA për klubin gjerman

Leart Paqarada u zyrtarizua te Kolni në janar, ku do t’i bashkohet skuadrës së madhe gjermane në verë si futbollist i lirë pasi kontrata me St Paulin i skadon.

Ishte skuadra gjermane Koln që prezantoi Paqaradën dhe futbollisti kosovar nënshkroi kontratë tre vjeçare deri në verën e vitit 2026.

Por reprezentuesi kosovar ende nuk e ka të sigurt nëse do të luaj te Kolni nga vera, pas problemeve të fundit që ka klubi i tij i ri.

Kolnit i është ndaluar transferimi i futbollistëve nga FIFA deri në verën e vitit 2024 dhe kjo rrezikon edhe të ardhmen e Leart Paqaradës.

FIFA ka njoftuar klubin nga Bundesliga për ndalimin e transferimeve deri në verën e vitit 2024 për shkak të transferimit të talentit slloven Jaka Cuber Potocnik i cili ishte i parregullt, pasi ai kishte shkëputur në mënyrë të njëanshme kontratën me NK Olimpija dhe kishte nënshkruar me Kolnin.

Transferimi i vetëm i Kolnit është Leart Paqarada, por mediat në Gjermani kanë raportuar se ky transferim mund të dështoj dhe ende nuk dihet për fatin e mbrojtësit të majtë kosovar.

Koln ka njoftuar se do të apeloj vendimin në Gjykatën Ndërkombëtare të Sporteve ‘CAS’, por e ardhmja e Paqaradës mbetet ende në ajër.

Lexo po ashtu Fjalët e para të Paqaradës si lojtar i Kolnit

Nëse sanksioni ndaj klubit bardhekuq mbetet në fuqi, atëherë transferimi i 28-vjeçarit kosovar do të dështoj dhe Paqarada do të mbetet një futbollist i lirë pasi nuk do të mund të regjistrohet si futbollist i ri i Kolnit. /Telegrafi/