Site icon Telegrafi

U pa për herë të fundit para 17 ditësh, zhdukja e presidentit të Tanzanisë vazhdon të mbetet një mister

Zëvendëspresidentja e Tanzanisë, Samia Suluhu Hassan, ka lënë të kuptohet se presidenti, John Magufuli i cili nuk ka bërë një paraqitje publike për dy javë mund të jetë i paqejf.

Ajo, megjithatë, paralajmëroi kundër shpërndarjes së thashethemeve.

“Është mjaft normale që trupi i një personi të jetë i paqejf dhe të jetë i prekur nga gripi ose të zhvillojë ethe… kjo është koha që tanzaniasit të bashkohen përmes lutjeve”, është cituar Hassan ndërsa i referohej shëndetit të presidentit të Tanzanisë.

Gjithsesi, mungesa e presidentit nga funksionet publike për 17 ditë kishte provokuar shumë spekulime në mediat sociale.

“… Shumica e thashethemeve që dëgjoni nuk e kanë origjinën në Tanzani. Ato vijnë nga jashtë vendit. Unë kërkoj nga ju që të injoroni këto. Nëse bëhet fjalë për lutje, lutuni, por gjithçka, ne duhet të qëndrojmë të bashkuar dhe ta çojmë Tanzaninë përpara. Ne jemi të sigurt”, ka thënë tutje ajo.

Ndërkohë, një media keniane kishte raportuar javën e kaluar se Magufuli u shtrua në spitalin e Nairobi.

Ndërsa Tundu Lissu, një udhëheqës i opozitës u kërkoi autoriteteve të zbulojnë publikisht gjendjen shëndetësore të Magufuli.

Raportet e mëparshme të medias kanë bërë të ditur se policia ka arrestuar një person për qarkullimin e postimeve në lidhje me shëndetin e presidentit.

Ndryshe, presidenti Magufuli ishte një nga skeptikët më të shquar ndaj COVID-19.

Dhe pavarësisht kërkesave të përsëritura nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, Tanzania nuk ka publikuar ndonjë statistikë për rastet e pandemisë që nga maji i vitit të kaluar. /Telegrafi/

Exit mobile version