Telegrafi

U ndoq nga rreth 100 milionë njerëz: Ky ishte debati Clinton-Trump, i plotë! (Video)

Kandidatët për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Hillary Clinton dhe Donald Trump u përballën të hënën mbrëma në një debat mes tyre, i cili vlerësohet ndër më të fortit i këtij lloji në SHBA.

Njëqind milionë njerëz mendohet se e ndoqën debatin në Universitetin Hofstra në afërsi të Nju Jorkut. Kjo është audienca më e madhe ndonjëherë që ndjek një debat presidencial në SHBA.

Siç shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi, është hera e parë që amerikanët panë dy kandidatët ballë për ballë në të njëjtin podium. Sondazhet politike i jepnin Clinton një avantazh të lehtë para debatit.

Clinton dhe Trump tashmë i kanë bërë të qarta qëndrimet e tyre mbi shumë çështje jetike, duke përfshirë ekonominë, emigracionin, ushtrinë dhe terrorizmin, prandaj debati kishte të bënte më tepër me çështjet e temperamentit, besueshmërisë dhe shkallën e pëlqimit të votuesve për secilin kandidat.

Po sipas medieve të huaja, gruaja dhe fëmijët e Trump ishin në sallë, po ashtu edhe ish-presidenti Bill Clinton dhe vajza e çiftit Clinton, Chelsea.

Debati ndahej në gjashtë segmente 15-minutëshe. Temat kryesore ishin tre: Drejtimi i Amerikës, arritja e begatisë dhe siguria e Amerikës.

Debatet televizive presidenciale filluan në vitin 1960, me një debat ndërmjet Richard Nixon dhe John Kennedy. /Telegrafi/