Në Tiranë ndodhi një ngjarje e rëndë ku avokati Gjovalin Ulndreaj u ndje keq gjatë një seance gjyqësore në Gjykatën e Apelit.
Ai u transportua me urgjencë në spital, ku dhe ka humbur jetën.
Në një njoftim të Gjykatës së Apelit jepen detaje mbi ngjarjen;
“Sot, në datë 28.01.2025, rreth orës 12:00, në një prej sallave të gjykimit të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, po zhvillohej një gjykim penal ku merrte pjesë edhe avokati Gjovalin Ulndreaj, anëtar i Dhomës së Avokatëve Shkodër”.
“Gjatë zhvillimit të gjykimit, avokati shfaqi probleme serioze shëndetësore, duke sjellë ndërprerjen e menjëhershme të procesit dhe dhënien e ndihmës së parë nga personat e pranishëm, deri në mbërritjen e shërbimit të Urgjencës QSUNT Tiranë”.
“Pas komunikimit me familjarët e avokatit, u bë e ditur se, fatkeqësisht, avokati kishte ndërruar jetë në ambientet e spitalit”.
“Trupa gjyqësore e kësaj Gjykate dhe stafi administrativ, duke vlerësuar kontributin e tij në procesin e dhënies së drejtësisë, shprehin ngushëllimet më të sinqerta për familjarët dhe të afërmit e të ndjerit, avokatit Gjovalin Ulndreaj”, mbyllet njoftimi i Gjykatës së Apelit.