Ndeshja mes Kikës dhe Vushtrrisë në kuadër të Grupit B në Ligën e Parë, nuk ka pasur fund të mirë.
Në fakt kjo ndeshje është ndërprerë në minutën e 80-të, kur tre futbollistë të skuadrës vendase kanë sulmuar gjyqtarin kryesor Rrezart Hasani.
E gjitha filloi kur gjyqtari prishtinas përjashtoi me karton të kuq brazilianin Talisson, derisa ai së bashku me dy shok të skuadrës e sulmuan atë.
Hasani nuk hezitoi dhe përfundoi ndeshjen pas sulmit që pësoi.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i skuadrës nga Hogoshti, që nëpërmjet një komunikate kanë kërkuar falje.
“Ndjenja e keqardhjes është e natyrshme në rastin e ndeshjeve të tilla, por është e rëndësishme të ruajmë respektin për vendimet e gjyqtarit dhe integritetin e lojës. Është e rëndësishme që si klub të marrim përgjegjësi për veprimet e lojtarëve tanë dhe të analizojmë situatat për të shmangur përplasje të tilla në të ardhmen”.
“Sfidat e lojës duhet të trajtohen me sportivitet dhe respekt për të gjithë pjesëmarrësit në fushë. Gjithashtu ne si klub falënderojmë publikun që me sportivitet e ka marrë vendimin e gjyqtarit. Kika mbi të gjithë”, ka shkruar në reagimin e KF Kikës. /Telegrafi/