Vajza e politikanit serb Nikola Sanduloviq, Klara u ndalua dje nga policia serbe në pikën kufitare Merdar.
Ajo nuk u lejua për disa orë të hyjë në Serbi, për shkak të vizitës së saj në kompleksin memorial “Adem Jashari” në Prekaz, ku edhe bëri homazhe.
Babi i saj, Nikola Sanduloviq përmes një postimi në “X” ka shkruar se pas 4 orësh marrje në pyetje nga BIA serbe, vajza e tij është lejuar të hyjë në Serbi.
“Pas 4 orësh marrje në pyetje dhe ngacmime nga BIA, Klara Sanduloviq dhe Mihajlo Todiq u lejuan të hyjnë në vendin e tyre! Evropa, Britania e Madhe dhe Amerika duhet ta ndalin këtë regjim diktatorial që po persekuton kundërshtarët politikë dhe familjet e tyre”, ka shkruar Sanduloviq.
Gjatë të shtunës, Klara Sanduloviq bëri homazhe te varrezat e Jasharajve në Prekaz.
“Të respektojmë që të mos përsëritet më”, ishte mesazhi i shkruar që ajo la te varri i Blerina Jasharit.
Pasi bëri homazhe, Klara Sanduloviq tha se babai i saj është i vetmi politikan serb që promovon paqen e prosperitetin dhe se politika e tij bazohet në falje dhe paqe.
Bashkë me Klara Sanduloviqin ishte edhe nënkryetari i Partisë Republikane në Serbi, Mihajlo Todiq, i cili ka përsëritur kërkimfaljen e Sanduloviqit duke thënë se Ballkani Perëndimor meriton paqe dhe se popujt në të duhet të pajtohen e të kthehen kah e ardhmja.
Javë më parë, kryetari i Partisë Republikane Serbe, Nikola Sanduloviq ishte arrestuar dhe rrahur nga shërbimi sekret serb, vetëm për faktin që kishte vizituar Prekazin. /Telegrafi/
After 4 hours of interrogation and harassment by the BIA Klara Sandulović and Mihajlo Todić were allowed to enter their country! Europe, Great Britain and America must stop this dictatorial regime that is persecuting its political opponents and their families!@aliciakearns @FBI
— Nikola Sandulovic (@Sandulovic_N) January 27, 2024