Sot në Kuvendin e Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, u mbajt takimi për formimin e Komisionit Ad-hoc për reformën zgjedhore.
Në një komunikatë për media bëhet e ditur se përfaqësues të grupeve parlamentare nënshkruan deklaratën e përbashkët për themelimin e këtij komisioni dhe u dakorduan po ashtu për formulën e komponimit të komisionit.
Në frymë konsensuale, përfaqësuesit politikë shprehën vullnetin për ndërmarrjen e reformave të nevojshme, të cilat garantojnë implementimin e praktikave më të mira demokratike zgjedhore.
U përmend gjithashtu që krahas këtij komisioni të themelohet edhe Grupi Këshillëdhënës, i cili do të përbëhet nga përfaqësues të shoqërisë civile që janë marrë me reformën zgjedhore, si dhe të BE-së e OSBE-së.