Telegrafi

U mbajt dy javë në karantinë pa u kontrolluar, pas lirimit australiania doli se është e sëmurë me coronavirus

Pas lirimit nga karantina prej dy javësh, një grua australiane që ka dashur të mbetet anonime, ka treguar se është e sëmurë me coronavirus dhe se nuk i është bërë kontrolli i duhur.

Qeveria e Australisë ka aprovuar ligje të ashpra sa i përket të ardhurve nga shtete tjera, duke urdhëruar që ata të mbyllen në karantinë për dy javë, transmeton Telegrafi.

Ky vendim është marrë pasi u kuptua se dy të tretat e të sëmurëve me coronavirus, janë të ardhur nga jashtë.

Mirëpo, në mesin e tyre është edhe një grua, e cila u mbajt për dy javë e mbyllur në një hotel në Sidney të kthyer në karantinë.

“Kam pasur ethe dhe marramendje, por një infermiere që më vizitoi vetëm dy herë gjatë tërë kohës, nuk më dha ndonjë medikament. Kisha temperaturë, nuk ndjehesha mirë”, ka thënë ajo, për mungesën e trajtimit të duhur.

Vetëm një ditë më parë, asaj ia kanë matur temperaturën dhe të nesërmen e liruan që të shkonte në shtëpi.

Duke qenë se nuk ndjehej mirë, ajo bëri një test për coronavirus, nga frika që të mos i infektonte familjarët dhe miqtë, ndërsa doli se është e sëmurë.

Autoritetet e shëndetësisë janë njoftuar lidhur me këtë rast dhe derisa i kanë kërkuar që të izolohet, janë duke bërë kontrolle në hotelin ku kishte qëndruar ajo në karantinë. /Telegrafi/