Hapjen e kësaj akademie e bëri Naim Muja – kryetar i Federatës së Mundjes të Kosovës, kurse më pas fjalën e morën edhe shumë personalitete tjera, të cilët evokuan kujtimet për kolosin e mundjes shqiptare, i cili la gjurmë jo vetëm në Kosovë,Maqedoni e Shqipëri, por edhe më gjerë.
Në emër të Federatës Shqiptare të Mundjes foli përzgjedhësi Sylejman Shala, ndërkohë që në emër të Ministrisë së Kulturës, Rinisë e Sportit të Kosovës disa fjalë i tha zëvendësministri Hajdin Abazi. Për takimet e shumëta dhe të gjata me Mentaz Allajbegun para të pranishmëve foli Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës, kurse në emër të Fakultetit të Shkencave Sportive këtë e bëri dekani, Skender Krasniqi. Për veprimtarinë e legjendës së mundjes shqiptare u prononcua edhe përfaqësuesi i KM Liria të Shkupit, Betim Vrenezi, ndërkohë që Mazllum Belegu në emër të KM Prishtina rikujtoi kohën kur Allajbegu kishte ardhur në Prishtinë dhe ishte “fajtori” kryesor që Belegu kishte filluar ta përcjellë mundjen.
Bardhyl Kuka nga Dibra në emër të Odës Dibrane i njohu më shumë të pranishmit për familjen Allajbegu, derisa i fundit në foltore u paraqit nipi i Mentazit, Arben Allajbegu, duke përshëndetur të gjithë që e nderuan kolosin e mundjes. /Zëri/Telegrafi/