Telegrafi

U largua nga ndeshja me Bilbaon i lënduar, Ancelotti tregon për gjendjen e Valverdes

Real Madridi shënoi fitore mbrëmë (e diel) me rezultat të pastër 2-0 ndaj Athletic Bilbaos, falë dy golave të shënuar nga Rodrygo.

Sidoqoftë, krahas gëzimit për fitoren, ajo që i la të shqetësuar tifozët e Real Madridit ishte largimi i Fede Valverdes nga loja para kohës, për shkak të një lëndimi që e pësoi gjatë ndeshjes.

Për gjendjen shëndetësorë të uruguaianit, në konferencën për shtyp pas ndeshjes foli trajneri Carlo Ancelotti, i cili i siguroi tifozët se nuk ka asgjë serioze.

“Valverde pësoi një goditje, por nuk është një problem”, ka thënë fillimisht tekniku italian.

Lexo po ashtu “Ai e ka mësuar qartë se duhet ta mbajë gojën mbyllur”, Ancelotti flet për ankesat e Bellinghamit

“Ne kemi nëntë ditë për të pushuar dhe të gjithë do të kenë mundësinë për tu rikuperuar. Ai nuk ka luajtur sot me intensitetin që e shfaq zakonisht, por është e vështirë të luash në një tempo kaq të lartë pas pushimit me kombëtare”, ka deklaruar Ancelotti.

Valverde pritet që të rikuperohet plotësisht dhe të jetë në dispozicion të ekipit për ndeshjen ndaj Manchester Cityt në çerekfinale të Ligës së Kampionëve javën e ardhshme.

Kapiteni i Uruguait ka luajtur më së shumti minuta dhe ka startuar më së shumti ndeshje sesa çdo lojtar tjetër i Real Madridit këtë sezon.

Ai ka luajtur plotë 3284 minuta përgjatë 41 ndeshjeve. Sidoqoftë, Valverde ka shënuar vetëm një gol këtë sezon, ndërsa ka kontribuar edhe me tetë asistime./Telegrafi/