Niklas Sule kaloi periudhën më të vështirë të karrierës së tij dhe i tronditi të gjithë kur dy javë para finales së Ligës së Kampionëve, u shfaq mbipeshë, i panjohur për një futbollist profesionist.
Sule humbi pothuajse të gjithë sezonin e kaluar me Dortmundin e tij dhe kjo la gjurmë edhe në shëndetin e tij mendor.
Në një intervistë për Sport1 gjerman, ai zbuloi se po kalonte një ferr të vërtetë, por se vendosi të rikthehet në formën më të mirë këtë verë, si në aspektin futbollistik ashtu edhe fizik.
Pjesa e parë e atij plani u realizua. Përfaqësuesi shumëvjeçar i Gjermanisë me 49 paraqitje për kombëtaren humbi dhjetëra kilogramë dhe u rikthye fizikisht në formë të shkëlqyer, ndërsa tani pret të shkëlqejë edhe në fushë.
Tani, në një deklaratë për mediat gjermane, ai më në fund u hap dhe mori përgjegjësinë për veten e tij. Ai tregon se shkak për gjithçka ishin problemet psikologjike.
“Kam pasur një sezon të keq, është faji im. Mendërisht nuk mund t’i bëja gjërat mirë, nuk munda të motivoja më veten”, tha Süle, i cili e kupton vendimin e trajnerit të Gjermanisë, Julian Nagelsmann për të mos e ftuar atë në Kampionatin Evropian.
“Vendimi ishte plotësisht i kuptueshëm dhe nuk ka asgjë të keqe me të. Unë e meritoja të largohesha. Sigurisht që i shikoja ndeshjet e Gjermanisë, por vite më parë isha anëtar i asaj skuadre dhe nuk ishte e lehtë për mua. Ata luajnë futboll dhe unë ‘jetoja’ në palestër”, shtoi qendërmbrojtësi me përvojë.
Por e gjithë kjo e motivoi atë që të rikthehet në formën optimale fizike dhe të jetë gati për fillimin e sezonit të ri. Ai ka treguar se si e ka rifituar pamjen e tij të njohur fizike.
Një rol të madh në gjithçka luajtën menaxheri i tij Volker Struth, drejtori sportiv i Dortmundit Sebastian Kehl dhe drejtori i klubit Hans-Joachim Watzke, të cilët e “detyruan” të humbiste peshë për të pasur një shans për t’u rikthyer në klub. Ai e bëri këtë përmes stërvitjes së vështirë dhe ndryshimit të dietës së tij.
“Ndoshta vera më intensive e jetës sime është pas meje, por ishte urgjente të bëja atë që bëra pas një viti në të cilin nuk isha i kënaqur dhe në të cilin nuk përmbusha asnjë pritshmëri. M’u desh shumë kohë për të kuptuar se nuk po e bëj për dikë tjetër, por për veten time”, shpjegoi gjermani. /Telegrafi/