Telegrafi

U kërkojnë deputetëve mos ta votojnë Ligjin për amnistinë

Një nga anëtarët e Këshillit Grevistë ka thënë se arsye e kësaj kërkese për takim është Ligji për amnisti, i cili, sipas tij, është tepër diskriminues dhe njëanshëm.

“Me këtë ligj serbët favorizohen dhe amnistohen jashtë çdo norme ligjore, ndërsa ne shqiptarët amnistohemi vetëm kundërvajtësit. Këshilli grevist njofton se greva do të vazhdojë deri në realizmin e kërkesave tona me çdo çmim”, ka thënë një anëtar i Këshillit Grevist për ORAinfo

Këshill bën apel të gjithë deputetëve të Kuvendit që mos të bien nën ndikimin e presionit politik për miratimin e këtij projektligji.

“Këshilli i fton të gjithë familjarët dhe qytetarët e Kosovës që ditën e mërkurë, në orën 12:00, të protestojnë para Kuvendit të Kosovës në shenjë solidarizimi me kërkesat tona ku po tentohet që Ligji për amnistinë t’i përfshij vetëm serbët e Kosovës, ndërsa me këtë projektligj vetëm katër të burgosur kosovar mund të amnistohen”, ka thënë ky anëtar i këshillit grevist.

Këshilli njofton se vetëm sot kanë kërkuar ndihmë mjekësore 148 të burgosur.

Ndërsa, pos që janë të privuar nga liria, të burgosurve në qendrat korrektuese u mungojnë kushtet elementare të jetesës.

Burgjet nuk i plotësojnë kushtet minimale, si mungesa e shtrojës dhe mbulojës, higjiena jo e duhur, trajtim jo i duhur mjekësor dhe mungesë të medikamenteve, gjë që e vështirëson në masë të madhe jetën e të burgosurve, transmeton KTV.

Këto mangësi bëhen publike në raportin e Avokatit të Popullit, në një tryezë më temë: “Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës, sfidat, mundësitë dhe hapat e bërë përpara”, që korrespondon me shënimin e Ditës Ndërkombëtare kundër torturës.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Daut Xhemajli, premton përmirësimin e kushteve në qendrat korrektuese. Ai, po ashtu, ka theksuar se janë duke u bërë përpjekje për të ndryshuar format e menaxhimit.

Në këtë tryezë u dhanë edhe rekomandime për institucionet përkatëse, në mënyrë që të përmirësohen kushtet në qendrat korrektuese dhe të paraburgimit. /Telegrafi/