Telegrafi

U kap me narkotikë vitin e kaluar, dënohet me tetë muaj burg

Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti i Përgjithshëm – Divizioni për Çështje Penale ka shpallur aktgjykimin kundër të akuzuarit A.H. për veprat penale Lëndim i lehtë trupor nga neni 188 par.3 pika 3.2 të KPRK-së dhe Prodhimi dhe përpunimi i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope, analoge apo veglave, pajisjeve apo materialeve narkotike nga neni 274 par.2 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

“I akuzuari A.H. është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim unik me burg në kohëzgjatje prej 8 (tetë) muajsh, në të cilin do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.

I akuzuari A.H. është akuzuar nga Prokuroria pasi që në vitin 2018 e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarën D.A. dhe i kishte shkaktuar dëmtime të lehta trupore. Gjatë intervenimit të rastit të dhunës në familje, të akuzuarit A.H. në dhomë i ishte gjetur një vazo me bimë substanca narkotike”, thuhet në njoftimin për media.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike udhëzohet në kontest të rregullt juridiko-civil. Kundër këtij aktgjykimi palët kanë të drejtë ankese në afat prej 15 ditësh në Gjykatën e Apelit të Kosovës. /Telegrafi/