Telegrafi

U kap drogë në vlerë mbi 3 miliardë euro – detaje edhe pamje të tjera të shkatërrimit të kartelit që furnizonte një të tretën e kokainës në Evropë

Një ‘super kartel’ që furnizonte një të tretën e kokainës në Evropë më në fund është shkatërruar.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, më shumë se 30 ton drogë me një vlerë rruge prej mbi 3 miliardë euro u kapën në Holandë, Spanjë, Francë, Belgjikë dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Agjencia e krimit të Bashkimit Evropian konfirmoi se 49 të dyshuar janë ndjekur si pjesë e të ashtuquajturit “Operation Desert Light”, duke përfshirë gjashtë objektiva “me vlerë të lartë” në Dubai.

Policia i shënjestroi ata si ‘qendrën e komandës dhe të kontrollit dhe infrastrukturën logjistike të trafikut të drogës në Evropë’.

Dhe Europol publikoi pamjet nga seria e fundit e bastisjeve, të cilat u zhvilluan midis 8 dhe 19 nëntorit.

Aty, të paktën 30 oficerë mund të shihen duke u futur me forcë në një pronë në mes të natës ndërkohë që në një video tjetër shihen disa burra duke u larguar nga një shtëpi në pranga.

Administrata e SHBA-së për Zbatimin e Drogës luajti gjithashtu një rol në rrëzimin e organizatës, e cila ishte gjithashtu e përfshirë në pastrim parash, vënë në pah mediat ndërkombëtare.

“Shkalla e importit të kokainës në Evropë nën kontrollin dhe komandën e të dyshuarve ishte masive”, citohet të ketë thënë Europol.

Agjencia shtoi se të dyshuarit përdorën komunikime të koduara për të organizuar dërgesat e drogës.

Sipas mediave, Holanda ishte vendi ku u kryen shumica e arrestimeve, me 14 në vitin 2021.

Autoritetet holandeze thanë se një nga të dyshuarit e arrestuar në Dubai dyshohet se ka importuar mijëra kilogramë kokainë në Holandë në 2020 dhe 2021.

Siç thuhet më tej, 37-vjeçari me shtetësi holandeze dhe marokene po ndiqet penalisht edhe për pastrim të shumave të mëdha parash dhe posedim të armëve të zjarrit.

Një shtetas holandez-boshnjak 40-vjeçar u arrestua gjithashtu në Dubai pas një hetimi bazuar në mesazhet e përgjuara.

Ai dyshohet se ka importuar kokainë dhe lëndë të parë për prodhimin e amfetaminës në Evropë.

Më shumë se 214 ton kokainë u kapën në rajon në vitin 2020, një rritje prej 6% nga viti i kaluar.

Ekspertët nga Qendra Evropiane e Monitorimit për Drogën dhe Varësinë nga Drogat besojnë se sasia mund të arrijë në 300 tonë në vitin 2022. /Telegrafi/