Site icon Telegrafi

U jepet lamtumira e fundit tre personave që u vranë në Dardani, opinione të ndryshme për gjendjen shëndetësore të dorasit (Video)

Iu dha lamtumira e fundit tre personave që u vranë në lagjen Dardania në Prishtinë. Familjarët kanë dhënë versione të ndryshme për personin që dyshohet se është dorasi i kësaj vrasje. Në varrimin e nuses së djalit, familja e të ndjerës i fali gjakun familjes Krasniqi.

Po i jepet lamtumira e fundit Hasan Krasniqit, personi i cili dyshohet se vrau gruan e tij, të djalit, e në fund edhe veten. Ceremonia e tij mortore ishte në orën 11.

Kushëriri i tij, i cili mban të njëjtin emër me tashmë të ndjerin Hasan Krasniqin, thotë së para 1 jave Krasniqi ishte në fshatin Grashticë, ku edhe u varros.

Ndërkaq thotë se u trondit kur dëgjoi për këtë vepër, pasi që sipas tij ishte një person i shkolluar.

“Para një jave jemi qëndruar bashkë me kushëririn te shtëpia dhe jemi kënaqur muhabet. Ka qenë i urtë, i dashur…Edhe ne po çuditemi si ka ndodhur rasti”, shprehet për RTV Dukagjinin, Hasan Krasniqi – kushëriri i dorasit.

E varrimi i gruas së dorasit, Hysnije Krasniqi u bë në një lokacion tjetër. Arsye për këtë është se vëllai i saj, Salih Krasniqi tha se nuk mund të lejonte të varrosej në të njëjtin lokacion me atë që i mori jetën. Ndërkaq, shtoi se tashmë të ndjerët ka 2-3 vite që kanë probleme mes vete, po ashtu tha se ndiqte kontrolle neuropsikiatrike.

“Me thënë të drejtën motrën time nuk kam pranuar ta varros te dorasi…Është gjaku im le të varroset të shtëpia ime…Kanë pasur mosmarrëveshje para dy viteve por kanë thënë që i kanë tejkaluar. Njeriu normal nuk e bën një vepër të tillë. Kohët e fundit i është acaruar gjendja. Ka qenë edhe te neuropsikiatri më herët”, deklaroi Salih Krasniqi.

E fundit u varros, nusja e djalit, Remzije Kamberi-Krasniqi. E në këtë varrim, familja e të ndjerës i fali gjakun familjes e cila ia mori jetën.

Vrasja e trefishtë në lagjen Dardania në Prishtinë, ndodhi të hënën pasdite. /RTV Dukagjini/Telegrafi/

Exit mobile version