Telegrafi

U hap panairi i mobilerisë dhe industrisë së drurit Natyra 2010

Me këtë rast ministri i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Blerand Stavileci ka thënë se tokat pyjore mbulojnë gati gjysmën e territorit të Kosovës dhe ky fakt e bënë Kosovën një prej vendeve më pyjore në Evropë. Ai ka shtuar se një pjesë e madhe e popullatës së Kosovës në mënyrë dikrekte apo indirekte, siguron mjetet e jetesës prej pyjeve tona.

Ministri Stavileci ka theksuar se objektiv i përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Kosovës është që të ngrihet kontributi i sektorit pyjor në ekonominë kombëtare, përmes shfrytëzimit të qëndrueshëm të resurseve pyjore, duke konsideruar rolet shumë funksionale që ato kanë.

Për më tepër ai ka shtuar se që të ketë përputhje me këtë objektiv të përgjithshëm, Qeveria do të mirëmbajë dhe do të zgjerojë zbatimin e aktiviteteve të sektorit përmes ofrimit të një kornize institucionale, me rregullativa mbështetëse.

Stavileci: Qeveria do të nxit konsolidimin e tokave

“Qeveria e Republikës së Kosovës do të nxit procesin e konsolidimit të tokave dhe po promovon krijimin e shoqatave të ndryshme, në mënyrë që të përfaqësohen interesat e pylltarisë private, industrisë pyjore private dhe kështu të krijohet një klimë e favorshme e biznesit.

Me këtë përkrahje pylltaria private dhe sektorët e industrisë pyjore do të bëhen më profitabile dhe me potenciale të mëdha të pjesëmarrjes më aktive në zhvillimin e gjithë sektorit pyjor”, ka theksuar Stavileci.

Nga ana tjetër zëvendës ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Jonuz Kastrati ka thënë se është obligim moral i institucioneve që të ofrohet bashkëpunim organizimit të këtyre ngjarjeve, në mënyrë që edhe prodhimet kosovare të jenë konkurruese me ato të Bashkimit Evropian.

Kastrati: Prodhimet kosovare të jenë konkurrente me ato të BE-së

“Kemi obligim institucional dhe moral të ofrojmë një bashkëpunim të evenimenteve të tilla, ku shihet rezultatet e arritura të kompanive vendore në këtë sektor dhe të bëjmë përpjekje që prodhimet e kompanive kosovare të jenë konkurruese në tregjet e rajonit dhe tregun e Bashkimit Evropian.

Sektori i përpunimit të drurit ka pas një zhvillim dhe një rritje signifikante të përdorimit të teknologjive dhe diturive të reja, në kualitetin e prodhimit, dizajnit, arritjen e marrëveshjeve për eksport në disa vende jo vetëm të rajonit”, ka theksuar Kastrati.

Ai ka shtuar se në MTI janë të evidentuar mbi 1400 biznese si përpunues të drurit dhe kanë mbi 5000 punëtorë të punësuar, prandaj kapacitetet në këtë sektor gradualisht po i tejkalojnë kërkesat e konsumit vendor.

Ndërsa, Mary Hopes, drejtoresh ekonomike pranë USAID-it, ka thënë se produktet e drurit paraqesin burim të qëndrueshëm për ekonominë e Kosovës.

Hopes: Ky sektor mund të paraqet mundësin e shtimit të punësimit 

“Pylltaria dhe produktet e drurit paraqesin një burim të qëndrueshëm te të ardhurave për ekonominë e Kosovës. Kosova është një vend ku sipërfaqet pyjore paraqesin hapësirë të madhe të vendit dhe ky sektor pikërisht mund të paraqes mundësin për zëvendësimin e importit, shtimin e punësimit dhe po ashtu mund të shërbejë për tërheqje të investimeve direkte”, ka thënë Hopes.

Ndërkaq, Hashim Deshishku kryetari Shoqatës së Përpunuesve të Drurit në Kosovë ka përshëndetur të pranishmit, duke thënë se rezultatet e këtij sektori tregojnë se ka një tendencë të rritjes pozitive të sektorit të drurit në Kosovë.

SHPDK-ja gjatë vitit 2010 ka organizuar një numër të aktivitetesh në përkrahje nga USAID-i, GTZ-ja etj. Panairi i drurit “Natyra 2010” do të jetë hapur për vizitorët deri më 13 qershor