Është hapur sonte në Gjakovë Kampionati Individual Evropian i Shahut, ngjarje sportive që do të mbahet deri më 24 maj.
Hapjen zyrtare të këtij kampionati e ka bërë kryetarja e komunës së Gjakovës Mimoza Kusari–Lila, e cila para të pranishmëve të shumtë ka thënë se komuna e Gjakovës dhe qytetarët e saj e kanë për nderë të jenë pjesë e organizimit dhe nikoqir të këtij evenimenti të madh sportiv.
Kampionati i Individual Evropian i Shahut është bashkëorganizim në mes të Federatës Evropiane të Shahut, Federatës Kosovare të Shahut, Komunës së Gjakovës dhe ministrisë së Kulturës. Si njëra ndër ngjarjet më të mëdha të këtij sporti, ky kampionat sjellë në komunën e Gjakovës rreth 300 shahistë nga rreth 40 shtete të Evropës, në mesin e tyre edhe rreth 150 shahistë me titullin mjeshtër ndërkombëtar.
Ndeshjet e para të këtij kampionati do të fillojnë që nga dita e enjte, ndërsa finalet do të jenë në ditët e fundit, me ç‘rast edhe do të zgjidhen shahistët më të mirë evropianë për vitin 2016.