Kamera e vendosur brenda veturës Tesla ka filmuar një grua të moshuar në Louisiana duke gërvishtur mjetin me çelës, duke shkaktuar dëme në0 vlerë prej 8.000 dollarëve – e gjithçka ndodhi pas një mosmarrëveshje për vendparkim.
Në video, Amanda Aubin, pronarja e Teslas, shihet duke parkuar veturën në një hapësirë të zbrazët në Baton Rouge, derisa ndiqet nga pas nga një veturë e kuqe, transmeton Telegrafi.
Gruaja e moshuar, shfaqet më pas duke dalë nga vetura e kuqe pasi Aubin parkon Teslan e saj. E njëjta grua i afrohet Teslas dhe përdor çelësin për ta gërvishtur.
Sikur kjo të mos mjaftonte, ajo këtë e bën qëllimshëm disa herë dhe largohet sikur të mos kishte ndodhur asgjë e keqe. Megjithatë, ajo nuk kishte llogaritur nëse mjeti mund të kishte kamerë që do ta filmonte.
Pasi u zbulua se çfarë kishte ndodhur, pronarja e veturës tha se ajo më herët e kishte akuzuar se ia kishte zënë parkingun dhe se këtë e ka bërë në shenjë hakmarrje.
E policia ka bërë të ditur se po heton rastin, dhe pas analizimit të pamjeve do të ndërmarrë masat e nevojshme për të sjellë drejtësi. /Telegrafi/