Detaje të reja janë zbuluar nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Menkulas të Devollit, ku shtetasi V.B. goditi me sëpatë një 73-vjeçar.
I plagosuri deklaroi fillimisht përpara oficerit të policisë gjyqësore se ishte rrëzuar aksidentalisht, në oborrin e banesës së tij.
Por më pas hetimet zbuluan se ai është goditur nga 62-vjeçari pas një sherri banal.
Euronews Albania mëson se autori dhe i plagosuri ishin duke luajtur me letra në ambientet e një lokali dhe zënka për lojën u përshkallëzua deri në përdorimin e sëpatës.
Pronari i lokalit zbuloi dhe dinamikën e ngjarjes.
“Autori dhe i plagosuri po luanin me letra në lokal. Kanë filluar debatin me njëri tjetrin për lojën me letra. Kemi ndërhyrë fillimisht për t’i qetësuar dhe të dy kanë vazhduar lojën. Pas 30 minutave filluan debatin sërish duke u goditur dhe shtyrë me njëri tjetrin. Sërish ndërhymë duke i ndarë. Sot morrëm vesh që konfikti ka vijuar në banesën e të plagosurit dhe na ka ardhur shumë keq. Të dy kishin pirë disa gota dhe ishin të dehur”.
Ndërkohë që banorët e fshatit deklarojnë gjithashtu se sherri ndodhi për lojën me letra dhe se personat nuk kanë konflikte me njëri tjetrin.
“Të dy personat i njohim personalisht, nuk kanë pasur konflikte më parë. Janë zënë për lojën me letra pasi kanë qenë edhe në gjendje të dehur”, deklaroi një nga banorët. /Telegrafi/