Site icon Telegrafi

U diplomova… Po tani?!

Jeta studentore është baza ku vendosen themelet për të ndërtuar të ardhmen tone. Në këtë kohë lindin ambiciet për të qenë dikushi në jetë dhe për të ndjekur rrugën e një karriere sa më të suksesshme.

Secili nga studentet i vë një qëllim vetës: karrierë të mirë. Dikush mendon të diplomohet e të punësohet. Ka nga ata student që mendojnë të diplomohen dhe njohurit e fituara gjatë studimeve, t’i vë në shërbim të vetes dhe shoqërisë. Gjatë studimeve, me shumë shokë e ish-kolegë të fakultetit kemi biseduar e debatuar, jemi pajtuar e mos pajtuar. Dikush nga shokët kishte me shumë ambicie se tjetri…

Nga këta shokë dikush e ka gjetur veten, e dikush jo. Dikë e ka shpërblyer jeta, e dike jo. Jeta nuk i shpërblen të gjithë! Për ata të cilët veten ende nuk e kanë gjetur, për të gjithë ata shokë e shoqe, për të gjithë studentët e diplomuar që ende nuk e kanë gjetur vetën dhe janë të zhgënjyer… solidarizohem me ta: jam pjesë e tyre, e këtij realiteti, e “Kosovës evropiane…”!

Çdo ditë na ndodhë të dëgjojmë nga pushtetarët tanë të thonë e të shprehin dëshirën e tyre utopike për “Kosovën evropiane…”! Sipas tyre, cila është Kosova evropiane!? Ndërsa, pushtetarët, për shkak të turpit dhe mbrojtjes politike, nuk i deklarojnë shifrat e sakta zyrtare të papunësisë. Ka nga ata që janë edhe të punësuar, por me një të punësuar dhe me një rrogë simbolike, ku vetëm ai e di se si i del muajit në fund, në krahasim me pushtetarët.

Nuk është mirëqenie kur një punon, e katër apo pesë të tjerë janë të varur nga ajo rrogë. Kjo nuk na shpie në rrugën evropiane. Nuk shkohet në Evropë me të diplomuar të papunë. Nuk shkohet në Evropë me të rinj studentë, të pashpresë për të ardhmen që e pret pas diplomimit. Nuk bëhet Kosova evropiane me rininë e dërmuar, pa perspektivë, rini e cila nuk guxon të ëndërroj, e jo më të marrë iniciativën për të ndërtuar të ardhmen e vetë.

Një rini e cila çdo mëngjes zgjohet me mendimin për të ikur në Evropë, Amerikë, larg, kudo qoftë… Jo nga dëshira, por nga halli e mërzi. Pak shpresa që kjo rini i ka, çdo ditë e më tepër po i shtirren. Rina e Kosovës ka mbetur si fëmijë jetim! Në Evropë nuk shkohet me këtë gjendje.

Dikush mund të më kundërshtojë, të thotë se Kosova është një shtet i ri në botë e Evropë. E arsyeshme kjo, por më e arsyeshme do të ishte që ata që proklamojnë “ Kosovën evropiane”, të jenë më të arsyeshëm, më real dhe të thonë se jemi larg Evropës!

Për të bërë ëndrrën e tyre realitet ata duhet të jenë me këmbë në tokë. Në Evropë shkohet me qeverisje të mirë, sundim të ligjit, reformim i administratës publike, liri të medias, mirëqenie sociale dhe ekonomike… Këto janë themelet e Kosovës evropiane!

Në Evropë shkohet me identitet dhe me dinjitet qytetar! Nuk shkohet në Evropë me të rinj të dërrmuar që thonë: U diplomova… Po tani?!

Të nderuar, ju që ëndërroni “Kosovën evropiane”, zgjohuni dhe dilni nga ky realitet që na ka mberthyer. Transformohuni në evropianë, për të hyrë në Evropë!

 

 

Exit mobile version