Site icon Telegrafi

U dhunua barbarisht se nuk i dha birra 47-vjeçarit, vdes në Spitalin e Fierit i moshuari

Ka ndërruar jetë në spital 80-vjeçari, i cili disa ditë më parë u dhunua fizikisht së bashku me bashkëshorten e tij.

Ngjarja e rëndë ndodhi në Povelçë të Fierit në ambientet e jashtme të dyqanit ushqimor në pronësi të viktimës.

“Ngjarje ka ndodhur në fshatin Povelçë, në ambientet e jashtme të dyqanit ushqimor në pronësi të shtetasit viktimës N.R, shtetasi I.N autori për motive të dobëta ka goditur me grushte në pjesën e kokës, shtetasin N.R, 80 vjeç dhe bashkëshorten e tij, shtetasen A.R, 77 vjeçe”, njoftoi Policia.

Si pasojë e dhunës Namik Rustemi, ndodhej i shtruar dhe intubuar në spitalin rajonal Fier në gjendje të rëndë, edhe pse ishte në kujdesin e mjekëve, nuk mundi të mbijetojë. Ndërsa bashkëshortja e tij pasi mori mjekim në spital u kthye në banesë.

Policia arrestoi të dyshuarin 47-vjeçar, që në momentin e sulmit dyshohet se ka qenë në gjendje tejet të dehur. Ai ka kërkuar birra në dyqan, por të moshuarit refuzuan pikërisht për shkak të gjendjes së alkoolizuar. Pas kësaj Ilir Nukaj i rrahu barbarisht të dy.

Ilir Nukaj njihej si person problematik dhe ka qenë i dënuar me 10 vite burg për një tentativë vrasjeje të ndodhur 12 vite më parë në këtë zonë.

Për këtë ngjarje materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier për veprën penale “plagosje e rëndë me dashje”, ku për autorin është dhënë dhe masa e sigurisë burg pa afat.

Exit mobile version