Site icon Telegrafi

U dëgjua kilometra larg, shkaktoi dëme në ndërtesat përreth – në Gjermani shpërthen një bombë e Luftës së Dytë Botërore (Foto/Video)

Një bombë e Luftës së Dytë Botërore është gjendur në një vend ndërtimi në Gjermani dhe ajo shkaktoi dëme në ndërtesat përreth, pavarësisht përpjekjeve të policisë për të kryer një shpërthim të kontrolluar.

Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, bomba prej rreth 250 kilogramësh u zbulua gjatë punimeve ndërtimore në qytetin jugor të Regensburgut dhe nuk mund të zhvendosej ose asgjësohej, kanë thënë ekspertët e shpërthimit.

Pavarësisht nga më shumë se 70 vjet e gjendur nën tokë, hetuesit thanë se arma e paplasur përbënte një kërcënim të vërtetë dhe duhej të shpërthente sa më shpejt që të ishte e mundur.

Kështu, rreth 4,500 veta u evakuuan brenda një rrezeje prej 1.5 kilometri në vend, pasi një ekip specialist kryen shpërthimin nën kushte të kontrolluara me kujdes.

Sipas mediave lokale, ka qenë një robot ai që ka kryer punën kryesore.

Supozohet se shpërthimi që ndodhi rreth orës 4.45 të mëngjesit të së mërkurës, mund të dëgjohej kilometra larg.

Ndërsa askush nuk u lëndua nga shpërthimi, ai i shkaktoi dëme të konsiderueshme ndërtesave në zonë – duke e lënë qytetin të mbushur me copëza të dritareve të thyera dhe ndërtesave të mbushura me të çara.

Një inspektim i plotë i dëmit do të kryhet, por policia tashmë ka kryer kontrollet fillestare të sigurisë dhe banorët janë lejuar të kthehen në shtëpitë e tyre. /Telegrafi/

Exit mobile version