Prokuroria kërkon paraburgim për një person i cili pasi kishte arritur të arratiset nga Burgu i Prilepit, kishte realizuar një vjedhje në një hotel në Shkup. Nga Prokuroria thonë se i njëjti ka vjedhur një kasafortë ku kishte para, çelësa dhe pasaporta.
“I dyshuari edhe më herët ka qenë i dënuar disa herë për krime të ngjashme dhe të tjera ndërsa ishte duke vuajtur dënimin me burg në Burgun e Prilepit, por më 5 korrik është arratisur dhe për të është lëshuar fletarrest. Ai ka shfrytëzuar periudhën derisa ka qenë i lirë për të kryer një vepër të re, kështu që më 8 korrik, në orët e mbrëmjes ka hyrë në ambientet e zyrës së një hoteli në Shkup dhe ka marrë sende të personave të tjerë me qëllim për t’i përvetësuar”.
“Nga hoteli ai ka arritur të vjedhë një kasafortë metalike të mbyllur me kod, e cila përmbante para të gatshme në shumën prej rreth 1400 euro, si dhe çelësat e hotelit, disa karta SIM dhe pesë dokumente udhëtimi të mysafirëve që ndodheshin në hotel. Vlera e përgjithshme e sendeve të sekuestruara llogaritet në rreth 100.000 denarë. Më pas ai është larguar nga vendi i ngjarjes, por është kthyer të nesërmen dhe kur është afruar në parkingun zyrtar, i janë afruar pjesëtarët e sigurimit të hotelit”.
“I dyshuari i ka spërkatur me sprej vetëmbrojtjeje në sy dhe menjëherë ka nisur të ikë duke u futur në një taksi. Vetura është raportuar dhe ndaluar nga zyrtarë policorë, pranë Fakultetit të Ndërtimtarisë në Shkup, pas çka i akuzuari është privuar nga liria”, thonë mes tjerash nga Prokuroria.