Aktorja Silvija Stojanovska është liruar pas gjykimit të përsëritur para Gjykatës Themelore Penale në Shkup, për rastin e transportimit të 700 kilogramëve kokainë nga Kolumbia në Spanjë.
Gjatë gjykimit të parë, aktorja ishte dënuar me tre vite e gjashtë muaj burg, ndërsa partneri i saj, Voisllav Budisajveviç mori dënim prej 7 viteve burg, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Megjithatë, Gjykata e Apelit e la në fuqi dënimin për Budisavjeviç, të cilit dënimi iu rrit në 12 vjet, ndërsa për aktoren e ktheu rastin në rigjykim.
Ndryshe, Prokuroria për ndjekjen e krimit të organizuar dhe korrupsionit aktakuzën për këtë rast e ka dorëzuar më 12 qershor 2020, pasi paraprakisht ishte hapur hetimi në kuadër të operacionit ndërkombëtar të koduar “Kolibri”, në të cilin u arrestuan edhe tre persona në Spanjë. Njëri prej tyre ishte vëllai i Budisavjeviç.
Në aktakuzën ndaj Stojanovskës dhe partnerit të saj, në atë kohë Prokuroria pretendonte se kishte vërtetuar se në gjysmën e dytë të vitit 2019, dy të akuzuarit kanë marrë pjesë në blerjen, transportin dhe rishitjen e kokainës në sasi të gati 700 kilogramëve.