Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje dhe NISMA Socialdemokrate patën debat të ashpër lidhur me veprimet e pozitës dhe opozitës karshi idesë së presidentit të vendit, Hashim Thaçi për korrigjim të kufijve me Serbinë.
Glauk Konjufca nga LVV akuzoi qeverinë se defakto po i bëhet mbështetje Thaçit në idenë e tij në dialogun Kosovë-Serbi ku sipas tij ky i fundit po përfaqëson Kosovën pa mandat.
“Pa u pozicionu ndaj presidentit i bjen me shku me presidentin. Një dokument i ri do duhej të jetë fjalia e parë se çfarë mendojnë këta (qeveria) për dy herët kur Thaçi ka shku edhe ja ka marrë mandatin. S’guxojnë ( ta fusin fjalinë), se i rrëzohet qeveria”, tha Konjufca, në emisionon “JetanëKosovë”.
Kësaj i reagoi deputeti Bilall Sherifi nga NISMA Socialdemokrate që tha se Konjufca nuk mund të flasë për guximin e tij.
“Ku pe din ti çka guxoj unë e çka nuk guxoj unë?”, tha Sherifi.
Në kundërpërgjigjen e tij, Konjufca vëri në dyshim ndikimin e Sherifit brenda qeverisë.
“Ti Bilall hiq nuk vetesh në këto punë, është Ramush Haradinaj i cili nuk po guxon”, tha Konjufca.
E kjo fjali nuk i pëlqeu Sherifit që debatuesin e kritikoi për pamaturi.
“Unë mendova që kam ardhë me bisedu me njerëz të rritur, e jo me inatçorë e jo me ofendime, jo merr vesh, jo s’merr vesh, jo vetesh jo s’vetesh, nuk di sa vetesh ti në Vetëvendosje”, tha Sherifi.