Site icon Telegrafi

Twitter thuhet se nuk ka paguar qira për zyrat me javë të tëra

Në një përpjekje për të ulur kostot pas blerjes kaotike të Twitterit nga Elon Musk prej 44 miliardë dollarësh, kompania e mediave sociale ka ndaluar së paguari qiranë, sipas një raporti nga The New York Times.

Twitter nuk ka paguar qiranë për zyrat e tij globale dhe as për atë të selisë qendrore në San Francisko prej disa javësh, thuhet në raport, derisa ekipi i Musk është përpjekur të rinegociojë kushtet e qirasë së kompanisë, transmeton Telegrafi.

Si rezultat, Twitteri ka marrë ankesa nga firmat e pasurive të paluajtshme si Shorenstein, e cila zotëron ndërtesat e Twitterit në San Francisko.

Përfaqësuesit e Shorenstein dhe Musk nuk iu përgjigjen menjëherë kërkesave për koment. Twitteri nuk ka më një departament komunikimi.

Musk tha se Twitteri pësoi një “rënie masive të të ardhurave” në ditët pas blerjes së kompanisë për 44 miliardë dollarë. Pa dhënë ndonjë shifër apo provë, ai pretendoi në një postim në Twitter se rënia e të ardhurave ishte rezultat i presionit të grupeve aktiviste ndaj reklamuesve.

Megjithëse shumë kompani ndaluan reklamat në Twitter, disa gjigantë të mëdhenj reklamues si Apple dhe Amazon kanë rifilluar shpenzimet në platformë. /Telegrafi/

Exit mobile version