Site icon Telegrafi

Twitter rrit numrin e karaktereve në një cicërimë nga 280 në 4000

Drejtori ekzekutiv i Twitter, Elon Musk akoma dëshiron t’i heq “qafe” mikroblogerët, kurse tani ka premtuar se do të rrit numrin e karaktereve në këtë platformë.

Aktualisht, kufiri i karaktereve në një tweet në Twitter është 280, por Musk synon ta rrisë atë në mënyrë drastike, madje në 4000, transmeton Telegrafi.

Konfirmimi erdhi nga profili i tij personal gjatë fundjavës, kur një nga përdoruesit e pyeti “a është e vërtetë që numri i karaktereve në Twitter do të rritet nga 280 në 4000”, dhe Musk u përgjigj “Po”.

Kjo nuk është hera e parë që miliarderi reagon ndaj temës së shtimit të karaktereve në një tweet. Ai tha në nëntor se ishte në “listën për të bërë”, por asokohe flitej për rritjen e saj në 1000 karaktere.

Nuk dihet ende se kur do të ndodhë rritja dhe ndoshta nuk është diçka prioritare për Musk për momentin. Situata në kompani është e trazuar pas pushimeve të shumta nga puna, dhe gjatë fundjavës Musk kërcënoi të padisë punonjësit që flasin për mediat.

Twitter për herë të fundit e rriti numrin e karaktereve në vitin 2017, kur Jack Dorsey ishte drejtor ekzekutiv. Më pas numri u dyfishua nga 140 në 280.

Kufiri fillestar prej 140 karakteresh bazohej në një SMS prej 160 karakteresh, sepse Twitter dërgonte postimet e profilit që përdoruesit i ndiqnin si mesazhe me tekst.

Me avancimin e telefonave celularë, kjo u bë e parëndësishme dhe Twitter mbylli shërbimin SMS në vitin 2020 në shumicën e vendeve. /Telegrafi/

Exit mobile version