Twitter Inc mbylli përkohësisht zyrat e saj të premten pasi u tha punonjësve se do të informohen me email më vonë gjatë ditës nëse do të pushohen nga puna ose jo.
Pronari dhe CEO i ri i kompanisë, Elon Musk pritet të shkurtojë rreth 3,700 vende pune, ose rreth gjysmën e fuqisë punëtore të Twitter, pasi ai kërkon të ulë kostot në platformën sociale që bleu vetëm një javë më parë për 44 miliardë dollarë (44.9 miliardë euro), shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Twitter tha në një email se zyrat e saj do të mbylleshin përkohësisht dhe do të pezullohej e gjithë qasja në mënyrë që “të ndihmonte në sigurimin e sigurisë së secilit punonjës, si dhe sistemet e Twitter dhe të dhënat e klientëve”.
Kompania tha se punonjësit që nuk prekeshin nga një masë e tillë do të njoftoheshin përmes adresave të tyre të postës elektronike të punës.
Ndërsa stafi që ishte pushuar nga puna do të njoftohej për hapat e mëtejshëm në adresat e tyre personale të emailit.
Ndërkohë disa punonjës postuan në Twitter se qasja e tyre në sistemin e IT të kompanisë ishte bllokuar dhe kishin frikë nëse kjo sugjeronte se ata ishin pushuar nga puna.
“Duket sikur jam i papunë”, shkroi në Twitter një përdorues me llogarinë @SBkcrn, profili i të cilit përshkruhet si ish-menaxher i lartë i komunitetit në Twitter.
Një email drejtuar stafit të Twitter thuhet se thoshte: “Ekipi, në një përpjekje për ta vendosur Twitter në një rrugë të shëndetshme, ne do të kalojmë përmes procesit të vështirë të reduktimit të fuqisë sonë punëtore globale të premten”. /Telegrafi/