Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë të premten se po konsideron platforma të tjera të mediave sociale dhe madje mund të krijojë të tijën pasi u ndalua nga Twitter pas trazirave të së mërkurës në Capitol të SHBA-së.
Siç edhe dihet, ai gjithashtu është bllokuar nga postimet në Facebook dhe Instagram – të paktën derisa të përfundojë mandati i tij, përcjell Telegrafi.
“Siç kam thënë për një kohë të gjatë, Twitter ka shkuar gjithnjë e më tej në ndalimin e fjalës së lirë, dhe sonte, punonjësit e Twitter janë koordinuar me Demokratët dhe të Majtën Radikale për heqjen e llogarisë time nga platforma e tyre, për të më heshtur mua – dhe JUVE , 75,000,000 patriotë të mëdhenj që votuat për mua”, shkroi presidenti në Twitter nga llogaria e presidentit “@Potus” në vend të asaj personale “@ReadDonaldTrump” – të cilën ai e përdori pothuajse ekskluzivisht para ndalimit.
Presidenti vazhdoi duke thënë se ai kishte parashikuar që fjalët e tij do të censuroheshin.
Dhe siç shkruan FoxNews, përcjell Telegrafi, Konservatorët janë ankuar prej kohësh që faqet e mediave sociale si Twitter janë të njëanshme kundër tyre në favor të liberalëve.
“Ne kemi qenë duke negociuar me faqe të ndryshme të tjera dhe do të kemi një njoftim të madh së shpejti, ndërsa ne gjithashtu shikojmë mundësitë e ndërtimit të platformës sonë në të ardhmen e afërt. Ne nuk do të heshtim!”, ka shkruar më tej Trump.
Më në fund, ai akuzoi Twitter-in se po punon kundër fjalës së lirë dhe në vend të kësaj është “duke promovuar një platformë Radikale të Majtë ku disa nga njerëzit më të mbrapshtë në botë lejohen të flasin lirshëm”. /Telegrafi/