Telegrafi

“Tvrdokorni” kërkojnë abolicion për pjesëmarrësit në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit

Iniciativa qytetare “Tvrdokorni”, mbajtën protestën e tyre të sotme, duke u nisur nga katedralja “Shën Klimenti i Ohrit”, me kërkesë kryesore dhënien e abolicionit për, siç thonë ata, “mbrojtësit e kushtetutës”, gjegjësisht pjesëmarrësit në ngjarjet e dhunshme të 27 prillit në Kuvendin e Maqedonisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Pjesëmarrësit në protesta gjithashtu kundërshtuan miratimin e paralajmëruar të Ligjit për gjuhët dhe, siç thonë ata, kundër vendosjes së refugjatëve, ashtu siç paska ndodhur në vitin 2001 kur në Maqedoni qenkan vendour prej 150.000 deri më 200.000 kosovarë.Dhe kërkesa e fundit e protestuesve ishte që Maqedonia të mos ndahet ndërmjet Bulgarisë dhe Greqisë.

Sipas vlerësimeve, në protest kanë marrë pjesë rreth 200 persona, që mbanin tabela me mbishkrime si “Liri për patriotët, burg për tradhtarët e Maqedonisë”, “Abolicion për mbrojtësit e kushtetutës” dhe të ngjashme. Akti i tyre simbolik gjatë qëndrimit para ndërtesës së Qeverisë, ishte ngritja e kartonëve të kuq në shenjë të notës së keqe për pushtetarët./Telegrafi/