TV Nova e biznesmenit Sead Koçan për të cilën sot ishte planifikuar seancë për hapjen e procedurës së falimentimit, do të vazhdojë me punë.
Sipas “EMagazin”, këto ditë është tërhequr kërkesa për hapjen e paraprocedurës falimentuese, të dorëzuar nga Telekabel, pasi TV Nova kishte paguar një pjesë të borxheve ndaj tyre, përcjell Telegrafi Maqedoni.
Edhe pse janë paguar borxhet ndaj Telekabel, TV Nova akoma është në borxhe ndaj Drejtorisë për të Ardhura Publike dhe të punësuarve me gjashtë rroga të papaguara.
Por, përkundër kësaj udhëheqësia e TV Nova dje përmes një komunikate kërkoi që gjithë të punësuarit të kthehen në punë, pasi prej sot do të fillojnë me programe aktive në televizion.
Në komunikatë televizioni thekson se ata që nuk kthehen në punë do të pushohen.
Në javët e fundit TV Nova emetoi disa programe dhe edicion lajmesh, por me një dinamikë të zvogëluar.
Ndërsa sipas disa informacioneve, tanimë një kohë të gjatë biznesmeni dhe pronari i televizionit Sead Koçan, ka qenë në bisedime me disa të interesuar për shitjen e televizionit./Telegrafi/