Vetëm pesë minuta zgjat vepra e parë e Gjon Markut, e cila, edhe pas kaq vitesh, edhe pas shumë krijimesh të arteve e të zhanreve të ndryshme, i ka mbetur në kujtesë si vepra e tij më e dashur. Në të vërtetë, ajo zgjat kaq vetëm për recepientin e saj, sepse autorit, për ta krijuar, më saktë: për t’i bërë 7.200 vizatimet e saj dhe për t’i lidhur ato në një tërësi, iu desh një vit i plotë pune këmbëngulëse e përqendrim i madh. Lexuesi do ta ketë të qartë kur të kuptojë se është fjala për një film të animuar, madje për filmin e parë të animuar, të bërë prej një kosovari …
Nga: Dush Gashi (shkrim i publikuar për herë të parë më 2003, në Javoren Politike Shqiptare “Zëri”)
E tëra ngjan me një dashuri të pafat të kohëve të shkuara: një takim pesë minuta pas shpresash e vuajtjesh të pafundme, ca puthje dhe fjalë të ëmbla dhe – ndarja. Më pas do të ketë edhe takime të tjera, më të gjata e më të plota, porse ato vetëm sa do ta sforcojnë dhembjen fillestare të dashurisë së parë të parealizuar plotësisht…
Po kaq – pesë minuta – zgjat vepra e parë e Gjon Markut, e cila, edhe pas kaq vitesh, edhe pas shumë krijimesh të arteve e të zhanreve të ndryshme, i ka mbetur në kujtesë si vepra e tij më e dashur. Në të vërtetë, ajo zgjat kaq vetëm për recepientin e saj, sepse autorit, për ta krijuar, iu desh një vit i plotë pune këmbëngulëse e përqendrimi të madh. Lexuesi do ta ketë të qartë kur të kuptojë se është fjala për një film të animuar, madje, për filmin e parë të animuar, të bërë prej një kosovari, me titull “TV Dur”, autor i të cilit ishte Gjon Marku dhe kjo ishte edhe vepra e tij e parë, pas fakultetit të sapokryer. Më sa i kujtohet Gjon Markut, sprovat e para në animacion do t’i ketë bërë Fahri Axhanela i cili, pas një kohe të kaluar në Zagreb për mësimin e këtij arti, do të krijojë vetëm një sekuencë të animuar.
Në botën e Disney-t
Dhe, nuk është njësoj si të bësh sot film të animuar, në kohën e kompjuterëve, të cilët ndihmojnë shumë sidomos në lëvizjen e figurave, si në vitet e tetëdhjeta. Gjon Marku është dëshmitar se prej atëherë e deri tash tri katër herë ka ndryshuar teknologjia e këtij arti. Atëherë, për çdo sekondë të filmit nevojiteshin 24 vizatime në letër, të cilat duhej filmuar me kamerë filmike, pastaj të shqyrtohet lëvizja e figurave dhe nevoja eventuale për përmirësime të saj, për t’u nxjerrë me pas e tëra në folie të tejdukshme, të vizatohen detajet dhe prapavija dhe të ngjyroset e tëra. Për këta pesë minuta, Gjon Markut i është dashur të bëjë hiq më pak se shtatë mijë e dyqind vizatime.
Metafora e filmit – sipas autorit – është një ide e thjeshtë: një i ri, i pasionuar pas muzikës, ushtron në kitarë në banesën e tij, natyrisht duke i penguar fqinjët, me të cilët, për shkak të zhurmës që ua shkakton, është në konflikt të përhershëm. Por, konflikti zgjat vetëm deri në një moment – kur e shohin në ekranet TV. Atëherë, si me dorë, bezdia e tyre shndërrohet në admirim.
Me modesti, Gjon Marku filmin e quan si një metaforë për ndikimin e TV-së tek njeriu. Por, receptuesi i tij mund të kuptojë më shumë për natyrën e njeriut bashkëkohor dhe botëkuptimin e tij për publicitetin.
I riu idealist i viteve shtatëdhjetë, pas maturës në gjimnazin prishtinas “Xhevdet Doda”, do të regjistrohet në vitin 1977 në Akademinë e filmit në Beograd, fillimisht në drejtimin e kamerës. Por, më vonë, gjatë studimeve, e sheh se një dashuri që e ushqente që nga fëmijëria, ajo për stripat dhe filmat e vizatuar, për personazhet e njohura të Walt Disney-t të madh, nuk iu kishte shuar. Madje, tash i shfaqej mundësia e pabesueshme se edhe ai mund të krijonte vepra të tilla! Kështu, “brucoshi” i kamerës do të përfundojë si student i diplomuar i filmit të animuar.
Fillimi i ndërprerë në zero
Si bursist i Televizionit të Prishtinës, ai edhe do të zërë punë në shtëpinë e vetme televizive të atëhershme në Kosovë. Ai ende ushqen ndjenjën e mirënjohjes për kolegët e tij të atëhershëm, të cilët i ndihmuan në punë dhe i ofruan shfrytëzimin e teknikës që kishin atëherë. Ndonëse në këtë shtëpi ai edhe e realizoi filmin e tij të parë, pastaj me ndonjë krijim tjetër të këtij lloji do të marrë pjesë edhe në festivale të ndryshme, as këtu ai nuk do të mund t’i përkushtohet tërësisht animacionit. Do të punojë me kamerë, e më vonë në të ashtuquajturin Trik-studio, në të cilin krijonte efekte me teknologjinë e kohës, më shumë filmike, e shpica të animuara të misioneve, kryesisht për fëmijë, të cilave, si edhe filmit të tij të parë, ua bënte edhe muzikën.
Por, e tërë kjo sikur ishte vendosur në një kohë të gabueshme, e cila, përkundër entuziazmit, për të satën herë ndërpriste diçka të sapofilluar nga zeroja. Kriza e fundviteve tetëdhjetë kishte filluar, mungonin paratë, jo vetëm për krijime të ndërlikuara, siç janë filmat e animuar, por edhe për pagën, e cila sa vinte e bëhej më e hollë, kurse shpenzimet shtoheshin e, mbi të gjitha, “atmosfera” rëndohej në padurueshmëri. Gjon Marku, si edhe shumë krijues atë kohë, e shumë të tjerë pak vite më vonë, do të detyrohet që, në kërkim të kafshatës së gojës, ta braktisë Kosovën.
Do të kalojë përtej Atlantikut dhe në ShBA do të gjejë punë në studion “Howard Bckerman Animation”, të cilën do ta humbasë pas ca kohe, meqë ishte, siç thotë, ilegal, por edhe pse nuk dinte t’i përdorë kompjuterët. Këtë mungesë do ta kompensojë më pas në Kanada, ku me një kredi shtetërore, e kryen një vit në College Classic Desing dhe hap një studio të veten.
“Kam punuar gjithçka”, thotë, “prej dizajnik grafik, biznes-kartave, reklamave …”, duke shpalosur kështu fatin jo të rrallë të artistëve, që për të mbijetuar duhet të merren me gjithçka tjetër, pos t’i përkushtohen vokacionit të tyre.
Të gjithë e njohin gafurrin
“I dua edhe dizajnin grafik, edhe stripin, por jo sa animacionin. Por, as në TV dikur, e as më vonë, unë kurrë nuk kam jetuar prej animacionit, e as prej muzikës, të cilën po ashtu e dua shumë”, thotë Gjoni.
Në nëntor të vitit 1999, ai do të kthehet në Kosovë, njëherë do të gjejë punë tek International Medical Corps, kur do të merret me dizajn, e më pas në World Vision, ku është edhe sot, me titullin që e thotë me të qeshur – public officer.
Gjoni ndërkaq, do të jetë mjaft i frytshëm në një lëmi të përafërt me animacionin – stripin dhe stripin humoristik. Personazhi i filmit të tij të parë, i shfrytëzuar shpesh në vizatime të ndryshme e në karikatura, më vonë do të shndërrohet në një personazh me idenditet të plotë – Gafurrin e njohur nga të përditshmet kosovare. Përkundër të të riut muziktar të fillimit, në formim e sipër, Gafurri tash është një trashaluq tullac, optimist, e që – sipas krijuesit të tij – ballafaqohet me këto kohë plot ndryshime me optimizëm, që dëshiron të shohë gjëra të mira, por edhe që e iriton shumëçka nga jeta e përditshme.
“Në krahasim me kohën kur kam qenë i ri, kur më kanë interesuar tema e filozofi ‘të mëdha’ dhe – siç ishte e zakonshme në kohën e socializmit – me porosi të mëdha, tash më shumë jam i interesuar me – mos t’i quaj tema ‘të vogla’ – njeriun, problemet e tij, natyrën e tij; aty janë edhe vlerat më universale, ka humor e dinjitet, por edhe dobësi, për të cilat këtu ka mjaft ‘material’ – thotë Gjoni.
Larg atdheut, ai do të preokupohet me shumë personazhe të njohura të historisë shqiptare, por edhe asosh legjendare të kombit tonë, duke i shndërruar tregimet për to në stripa tërheqës për fëmijë.
Si do ta bënte tash, pas kaq vitesh, filmin “TV Dur”, autori i tij?
“Natyrisht se do ta bëja ndryshe”, thotë Gjoni, “ndonëse e dua edhe ashtu siç është. Atëherë jam koncentruar shumë në detaje, ndoshta më shumë se ç‘është dashur, kurse në animacion nuk është aq i rëndësishëm detaji, sa është me rëndësi karakteri i lëvizjes, aktrimi i figurave, efekti kinetik – siç i thonë, dhe si është i lidhur i tërë efekti.”
Për fat të keq, pos ca vizatimeve statike, Gjoni nuk e ka kopjen e parë të filmit të tij, e cila shpreson të jetë dikund në lokalet e “Kosovafilmit”.
Një gur simbolik
Pasi që është kthyer në Kosovë, ai ka bërë edhe një film të animuar, të quajtur “Guri”, i cili vërtet flet për një gur, në këtë rast simbolik, i cili, i hedhur dikund që në kohën e gurit, ende shkakton probleme në edhe në kohën tonë. Natyrisht, është ky një simbol për paragjykimet që kanë zënë fill që në kohërat e lashta, për paragjykimet, që shpesh përcillen edhe kësaj dite. “Guri” është shfaqur në festivalin botëror të filmit të animuar në Zagreb, në Kinotekën e Sllovenisë dhe është ftuar të shfaqet edhe në Festivalin e Otavës, por jo edhe në TV-të tona.
I pyetur për të rinjtë e sodit, në krahasim me ata të viteve shtatëdhjetë, Gjoni është i befasuar për të mirë.
“Rinia tash ka mjaft perspektivë, mendoj se ata do ta shfrytëzojnë këtë dhe së shpejti edhe do të shihen rezultatet. Kam mbetur i fascinuar se sa njerëz dinë ta përdorin kompjuterin, ndoshta edhe pse programet, të cilat mund të blihen të kopjuara, janë të lira, por edhe pse ka vullnet të madh për të mësuar e për të shkuar përpara. Megjithatë, duhet edhe pak kohë që të kristalizohen vlerat”, thotë ai.
Po koha e sotme?
“Është kohë ndryshimesh të hovshme dhe, ngapak kaotike, por, me të gjitha mangësitë, po mësojmë shumë shpejt.”
Dhe, kaotikja pothuaj se është si të jetë bërë mu për animacione?
“Gjithsesi. Kemi edhe mjaft probleme, të cilat, nëse injorohen, ato rriten, bëhen pjesë e
kulturës, e si të këtilla është vështirë të çrrënjosen. Prandaj, duhet ballafaquar me to, me kohë.”
Ai nuk fsheh ambiciet për të krijuar një personazh të animuar, i cili edhe do të flasë shqip. Por, kitaristi i grupit të dikurshëm studentor “Bypass”, e i cili me kitarën e tij ka gjetur kohë të merret edhe në Kanada, ka edhe planet e tija (e të shokëve të gjeneratës) muzikore. Për këtë – njëherë tjetër. /Telegrafi/