Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk, qëndroi disa orë të martën ( 17.09) në Tiranë. Ai deklaroi se “ Shqipëria dhe Maqedonia meritojnë hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE.
Donald Tusk, Kreu i Këshillit Evropian, i cili në samitin e tij më 18 tetor, do të vendosë hapjen ose jo të negociatave të anëtarësimit të BE me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, u cilësua të martën (17.09) në Tiranë nga kryeministri Rama “avokat i zgjerimit të BE me rajonin e Ballkanit Perëndimor”.
Mesazhet publike që dha Tusk e meritojnë një cilësim të tillë. Apeli që i ai drejtoi nga Tirana Këshillit Evropian në dy argumente të rëndësishme: njëri pragmatik, tjetri parimor.
Nuk ka siguri për Evropën pa integrimin e Ballkanit Perëndimor
Këtë argument të njohur pragmatik të BE lidhur me politikën e zgjerimit me Ballkanin Perëndimor ( BP) e risolli në vëmendje në Tiranë , Presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.
Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Rama , ai theksoi se ” Integrimi i Shqipërisë në BE është në interes të gjithë Evropës. Nuk ka siguri për Evropën pa integrimin e BP. Mendoj që BE duhet të hapë negociatat si me Shqipërinë , ashtu edhe me Maqedoninë e Veriut, në përputhje me rekomandimin pozitiv të Komisionit Evropian”
Argumenti i dytë është respektimi nga BE i parimit të meritave në progresin e vendeve kandidate për anëtarësim si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut.
” Shqipëria, falë përpjekjeve të saj i është afruar BE. Ka ardhur momenti të hapë negociatat e anëtarësimit. Për këtë askush si në Shqipëri, ashtu edhe në BE, nuk duhet të ketë as dyshimin më të vogël. Shqipëria duhet të trajtohet me respekt, sipas meritave, si janë trajtuar vendet e tjera por edhe ato të BP. Kur flitet për sigurinë tonë të përbashkët askush nuk po i bën askujt ndonjë nder”, tha Tusk në Tiranë. /dw/