Për Presidentin e Këshillit Europian progresi i bërë nga Shqipëria është i mjaftueshëm për hapjen e negociatave, por thotë se mbetet sfidë bindja e të gjitha vendeve anëtare për të dhënë “dritën jeshile” për këtë.
“Negociatat me BE nuk janë të lehta. Ëndrra ime është që Shqipëria të vazhdojë rrugën drejt Evropës. Është në interesin më të mirë që Shqipëria të jetë e integruar plotësisht në BE. Ajo që Shqipëria ka bërë është e mjaftueshme për të çelur negociatat. Tani, sfidë është bindja e të gjitha vendeve në qershor për çeljen e negociatave”, deklaroi Donald Tusk.
Në deklaratën e përbashkët për shtyp me Kryeministrin Edi Rama, Presidenti i Këshillit, pasi përgëzoi popullin shqiptar për rekomandimin e Komisionit Europian, deklaroi se vendi “do të ketë shumë sfida dhe punë të madhe, duke nisur nga shteti i së drejtës, lufta kundër krimit të organizuar dhe reforma në drejtësi”.
Ndërkohë, Kryeministri Edi Rama tha se integrimi kërkon kohë, ndërsa falendëroi Tusk për mbështetjen e dhënë në këtë drejtim dhe e njohu atë edhe me ecurinë e reformës në drejtësi.
“Ne do të ndërtojmë Shqipërinë europiane në Shqipëri. Është një proces që kërkon kohë dhe që e kërkon interesi i fëmijëve tanë. Me Presidentin, që është njohës i thellë i rajonit, folëm për procesin e thellimit të bashkëpunimit rajonal dhe nënvizova se ky proces transformues për rajonin është i lidhur me perspektivën europiane të vendeve të rajonit. Diskutuam edhe për ecurinë e mëtejshme të reformës në drejtësi”, u shpreh ai. /Telegrafi/