Presidenti i Këshillit të BE-së, Donald Tusk përsëriti sot para deputetëve të Parlamentit Evropian se liderët evropianë kanë bërë një gabim të madh javën e kaluar duke mos arritur të vendosin për negociatat e pranimit me Maqedoninë së Veriut dhe Shqipërinë, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Udhëheqësit evropianë kanë pasur një debat të nxehtë mbi zgjerimin. Pas një rekomandimi të qartë nga Komisioni Evropian, shumica e vendeve anëtare dëshironin negociata të hapura për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por konsensusi i nevojshëm nuk u arrit. Sipas mendimit tim, ishte një gabim dhe u thashë drejtuesve hapur dhe drejtpërdrejt. Tani shpresoj se liderët do të arrijnë në përfundimin se ata do të kthehen në këtë çështje para Samitit të Zagrebit në maj të vitit të ardhshëm”, tha Tusk në PE duke paraqitur konkluzionet e takimit të Këshillit Evropian të javës së kaluar në Bruksel.
Deputetët e sotëm në debatin plenar pritet të shprehin edhe një herë përkrahje për fillimin e negociatave me Shkupin dhe Tiranën. Kjo tashmë është bërë në ditët e fundit nga grupet më të mëdha politike në PE – Partia Popullore Evropiane, Partia e Socialistëve Evropian, ALDE, Partia e Gjelbër.
Përveç negociatave me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, seanca e PE-së do të diskutojë përfundimet e Këshillit të BE-së për “Brexit” dhe ndërhyrjen ushtarake të Turqisë në Siri./Telegrafi/