Telegrafi

Turqit nisin ndërtimet në ANP

Nga fundi i muajit maj pritet të fillojë edhe ndërtimi i terminalit të ri prej 25 mijë metra katrorë, ndërtimi i kullës dhe i parkingut.

Konsorciumi Limak & Aeroport de Lyon Mas ka vendosur edhe se kush do të menaxhojë ANP’në gjatë kësaj kohe. Ai është Ferda Yakar, ish-drejtori gjeneral i aeroportit të Antalias, me një eksperiencë 20 vjeçare në menaxhimin e aeroporteve.

Ardhja e koncesionarit të ri nuk ka sjellë asnjë ndryshim për punëtorët. Ata thonë se po trajtohen mirë dhe nuk ka ndonjë ndryshim nga menaxhmenti i mëhershëm.

Ilir Halili, punëtor në administratën e ANP’së, tha për Express se punët për renovimin e objekteve ekzistuese do t’u sjellin atyre kushte më komode. “Ndryshim me ardhjen e koncesionarit kemi vërejtur vetëm tani kur kanë filluar punimet në renovimin e zyrave. Sepse ne po trajtohemi shumë mirë nga turku”, thotë Halili.

Altin Ahmeti, zyrtar për informim në ANP ”Adem Jashari”, tha se në tremujorin e parë të këtij, në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ka rritje të numrit të udhëtarëve dhe të fluturimeve.“Gjatë kësaj periudhe të këtij viti numri i udhëtarëve ka shënuar rritje prej 5 për qind, e numri i fluturimeve 11.62 për qind, në krahasim me vitin e kaluar”, tha Ahmeti. /Telegrafi/