Site icon Telegrafi

Erdogan: Kemi zbuluar rezerva të mëdha të gazit natyror në Detin e Zi

Recep Tayyip Erdogan tha se anija turke e shpimit Fatih, që ka filluar punimet nga 20 korriku, zbuloi rreth 320 miliardë metra kub të gazit natyror. Ai shtoi se Turqia në vitin 2023 synon të furnizojë popullin e saj me gazin natyror të zbuluar

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka njoftuar zbulimin e një rezerve të madhe të gazit natyror në Detin e Zi, raporton anadoluagency.

Në Pallatin Dolmabahçe në Stamboll, presidenti Erdogan tha se “Turqia ka bërë zbulimin më të madh të gazit natyror në Detin e Zi”.

Presidenti turk tha se anija turke e shpimit Fatih, që ka filluar punimet nga 20 korriku, zbuloi rreth 320 miliardë metra kub të gazit natyror. Ai shtoi se Turqia në vitin 2023 synon të furnizojë popullin e saj me gazin natyror të zbuluar, transmeton Telegrafi.

“Energjia, përveç se është një element themelor i zhvillimit, po ashtu ka një rëndësi të madhe në ndërtimin e pavarësisë kombëtare”, theksoi ai.

Më tej, presidenti Erdogan tha se pas të gjitha lojërave të luajtura në Mesdheun Lindor ka një luftë për të ndarë burimet e energjisë, si dhe shtoi se vendi i tij nuk ka “as varësi më të vogël të jashtme” në punimet e shpimit dhe kërkimit sizmik.

“Këtë operacion e kemi kryer plotësisht me mundësitë tona kombëtare”, tha ai, duke shprehur shpresë që lajme të ngjashme të mira të vijnë edhe nga Mesdheu.

“Të dhënat nga pusi tregojnë se në të njëjtën zonë ka shumë mundësi të zbulohen burime të tjera të gazit natyror”, shtoi Erdogan.

Lajmi vjen pasi presidenti Erdogan në fillim të kësaj jave premtoi një “lajm të mirë” për vendin e tij. Më 20 korrik, anija e stërvitjes Fatih filloi shpimin në fushën Tuna-1 në Detin e Zi.

Shtyllat e anijes Fatih 103 metra të gjata u çmontuan në portin Haydarpaşa të Stambollit për të mundësuar kalimin e sigurt të anijes nën urat që përshkojnë Ngushticën e Bosforit para udhëtimit të saj në veri për në Detin e Zi.

Anija u nis me vela për në Detin e Zi më 20 maj nga Stambolli në Portin e Trabzonit në verilindje të Turqisë, ku arriti në destinacionin e vet për ri-montim më 6 qershor. /Telegrafi/

Exit mobile version