Site icon Telegrafi

Turqia do të përkrahë shëndetësinë kosovare

Ambasadorja e  Turqisë në Republikën e Kosovës, Kivilcim Kiliç, e shoqëruar nga zëvendësministri  i Shëndetësisë, Kadir Hyseini dhe drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universit të Kosovës, Curr Gjocaj,  gjatë vizitës në Klinikën Obstetrike Gjinekologjike, ka premtuar mbështetje të vazhdueshme të shtetit turk për shëndetësinë kosovare, në veçanti për Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Ajo është njohur nga afër me punën që bëhet në këtë klinikë.

Ambasadorja Kiliç tha se Kosova dhe Turqia kanë bashkëpunim në shumë degë dhe se po angazhohet që në një të ardhme të afërt të ndihmohet në avancimin profesional të stafit dhe në krijimin e kushteve më të mira të punës për mjekët dhe pacientët.

“Mjekët tanë janë shprehur të kënaqur në lidhje me bashkëpunimin dhe mikpritjen që kanë pasur në Kosovë, duke bartur eksperiencën e tyre tek mjekët e Kosovës”,  theksoi ajo.

Në anën tjetër, drejtoresha e Klinikës obstetrike Gjinekologjike, Myrvete Paçarada, ka njoftuar ambasadoren se gjatë bashkëpunimit me mjekët nga Turqia janë realizuar 28 operacione të ndërlikuara dhe ndihmesa e tyre ka qenë e mirëseardhur.

Ajo kërkoi që ky bashkëpunim me ekspertët nga Turqia të jetë i vazhdueshëm dhe të shikohet mundësia që së paku një herë në muaj të sjellin ekspertët që do të realizonin operacionet e ndërlikuara.

Curr Gjocaj, drejtor i Përgjithshëm i SHSKUK-së, falënderoi ambasadoren e Turqisë për ndihmesën e dhënë nga shteti turk.

“Jemi shumë të kënaqur me punën që kanë bërë mjekët nga Turqia, të cilat kanë punuar në vazhdimësi dhe kanë kryer operacione të ndërlikuara, kjo tregon një humanizëm dhe përkushtim për të ndihmuar”, theksoi Gjocaj.

Ai kërkoi nga ambasadorja Kiliç që Turqia të vazhdojë edhe më tutje përkrahjen për Kosovën.

Në anën tjetër, Kadir Hyseini, zëvendësministër njoftoi se mjekët nga Turqia kanë kryer 122 operacione të ndërlikuara në QKUK,  28 prej tyre në Klinikën e Gjinekologjisë, 30 në oftalmologji, 10 në kirurgji të fëmijëve, 16 në kirurgji plastike, 14 në shërbimin e kardiokirurgjisë, 6 në kirurgji abdominale  dhe po ashtu kanë kryer 27 koronarografi.

Sipas tij, mjekët nga Turqia kanë kryer edhe konsultime të tjera që janë realizuar në bashkëpunim me kolegët nga klinikat e QKUK-së.

Hyseini, theksoi se janë në bisedime me ambasadoren dhe pritet që shumë shpejtë të vazhdojë bashkëpunimi, ku së paku një herë në muaj të vijnë mjekët nga lëmi i gjinekologjisë për të kryer operacione në QKUK.  Ai kërkoi që klinikat e QKUK-së, të caktojnë stafin i cili më pastaj do të ketë mundësi të trajnohet në Turqi. /Telegrafi/

Exit mobile version