Turqia ka bllokuar qasjen në platformën e video-lojërave online Roblox sepse beson se përmbajtja e saj është e papërshtatshme dhe mund të çojë në abuzimin e fëmijëve në vend.
“Vendi ynë është i detyruar të sigurojë mbrojtjen e fëmijëve tanë. Përdorimi i teknologjisë në mënyrë negative nuk është kurrë i pranueshëm”, tha ministri turk i Drejtësisë, Yilmaz Tunç.
Zyra e Kryeprokurorit Publik në qytetin e Adanas nisi një hetim për Roblox, i cili përfundimisht çoi në kufizime mbarëkombëtare, raporton reuters.
Një zëdhënës i Roblox, platformë që pret video-lojëra të krijuara nga përdorues të tjerë, tha se do të bashkëpunonte me autoritetet lokale turke dhe shpresonte se problemi do të zgjidhej së shpejti.
Ndalimi vjen pesë ditë pasi Turqia vendosi të bllokojë rrjetin social Instagram, i cili përdoret nga 57.1 milionë njerëz në vend.
Sipas portalit Turkiye Today, autoritetet në Ankara dyshohet se ishin të pakënaqura me faktin se Instagrami kufizoi mesazhet në lidhje me liderin e vrarë të lëvizjes palestineze Hamas, Ismail Haniyeh.
Ky kufizim shkaktoi pakënaqësi në Turqi, e cila e cilësoi atë si censurë. /Telegrafi/